Pritej prej kohësh, por vetëm këtë të enjte ka mbërritur edhe zyrtarizimi. Armando Sadiku është tashmë një futbollist i Goa në Indi. Edicionin e shkuar, sulmuesi mori dy trofe me Mohun Bagan, duke qenë një element i rëndësishëm për skuadrën, ndonëse u mund në finalen e madhe të titullit në fazën play-off.

“Qëllimi im është të kontribuoj në çdo mënyrë të mundshme për të ndihmuar skuadrën të fitojë të gjithë trofetë për të cilët po konkurrojmë dhe të shënoj më shumë gola sesa kam bërë në sezonin tim të parë në Indi.”

Sezonin e shkuar Sadiku shënoi 8 gola në kampionatin e rregullt, paraqitje që kanë bindur drejtuesit e Goa për t’i bërë një ofertë.

Me përfaqësuesen kuqezi, 33-vjeçari ka luajtur 38 ndeshje e ka shënuar 12 gola, ndër të cilët veçohet ai në Euro2016 ndaj Rumanisë, që është dhe goli i parë i Shqipërisë në një kampionat Europian. Në eksperiencën e dytë të tij në Indi, Sadiku do të mbaj mbi shpinë fanellën me numrin 9-të.

Klan News