Atentati me 3 të vrarë në një lokal në Memaliaj ka tronditur të gjithë banorët e zonës. Në një prononcim për gazetarët, një nga banorët thotë se njëri nga të vrarët në atentat ishte punonjës në lokalin ku ndodhi krimi. Ai shprehet se nuk ka dëgjuar të shtëna mbrëmjen e djeshme, ndërsa ngjarjen e ka mësuar rastësisht teksa ka qenë duke kaluar pranë vendit të ngjarjes.

Banori: Të 3 i njoh, të 2 djemtë dhe personin tjetër. Njëri nga ata çunat punonte aty, kurse njëri vinte rastësisht. Jemi tronditur shumë fare. Të vriten 3 veta është kiamet i madh, çfarë thua. Nuk ka ku të vejë më. Nuk dëgjova mbrëmë të shtëna. Sot e mora vesh, kur kalova aty vërdallë dhe kur pashë policinë.

Sipas informacioneve paraprake, raportohet se objektiv i atentatit mbrëmjen e djeshme në Memaliaj ka qenë Shyqyri Kalemi (babai i Andrea dhe Zamir Kalemit), i cili ka mbetur i vrarë. Viktimë ka mbetur dhe Marsel Çela, 47 vjeç (lidhje shoqërore e viktimave), si dhe kamarieri i lokalit, Gledi Muka, 36 vjeç. I plagosur ka mbetur Artur Kalemi, 57 vjeç, (vëllai i Shyqri Kalemit), i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrje si pjesë e sagës së krimeve të ndodhura që prej 11 Qershorit të vitit 2022, kur mbeti i vrarë në Tiranë me shpërthim të telekomanduar Aleksandër Sadikaj. (Lexo më shumë)

Për ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë dhe me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale ku vijojnë punën në vendngjarje për sqarimin e rrethanave të krimit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

/tvklan.al