Ndaj Hanter Bajden, djalit të presidentit të SHBA-ve, Xho Bajden në Gjykatën e Delauerit nisi seanca për shqyrtimin e tre akuzave penale. Në ditën e parë të seancës gjyqësore, për t’i dhënë mbështetje ishte edhe e ëma, zonja e parë, Xhil Bajden.

Djali i presidentit, akuzohet për veprat penale në lidhje me blerjen e një arme në vitin 2018, kur ai pati shkruar në kujtimet e tij se ishte nën varësinë e drogës.

Ai akuzohet se ka gënjyer një shitës të licencuar të armëve, duke bërë deklarata false në aplikimin e tij, ku ka deklaruar se nuk ishte përdorues droge. Gjithashtu e ka mbajtur armën në mënyrë të kundraligjshme për 11 ditë. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon deri ne 25 vite burg.

Hanter Bajden do të përballet me një gjyq tjetër në Kaliforni në Shtator për akuzat se nuk ka paguar 1.4 milionë Dollarë taksa. Ai ka hyrë gjithashtu në histori si fëmija i parë i një presidenti amerikan që merret si i pandehur.

Ky proces po zhvillohet vetëm pak ditë pasi ish-presidenti Donald Trump, njëkohësisht edhe kandidati i pritshëm republikan për president, u shpall fajtor për 34 akuza penale në qytetin e Nju Jorkut.  Proceset dëshmojnë se si gjykatat janë vendosur në epiqendër të vëmendjes gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e këtij viti.

Tv Klan