Emisioni “Stop” solli fakte mbi një tender të kompromentuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me plot 400 milionë Lekë. Tenderi është i dyshimtë pasi u zhvillua vetëm 2 ditë para festës së ndërrimit të viteve në vitin 2021. Objekt i këtij tenderi firmosur nga drejtori i FSHZH, Dritan Agolli, është hartimi i një menuje për 100 fshatra turistikë në Shqipëri. Afati kohor për dorëzimin e propozimeve ishte 29 Dhjetor 2021.

Ajo që bie në sy në përzgjedhjen e subjekteve është subjekti “Maskarpone” me administrator Alfio Rotani dhe personi fizik Endrit Maçi. Më vonë bashkimi i dy operatorëve del fitues i këtij tenderi. 

Agjencia e Prokurimit Publik ka publikuar në faqen e saj zyrtare procedurat e këtij tenderi, me fond limit 400 milionë Lekë të vjetra vetëm për konsulencë dhe krijimin e një menuje të 100 fshatrave.

Detaj tjetër kompromentues është fakti se vetëm dy ditë para shpalljes së fituesit, FSHZH njofton për ndryshime në dokumentet e tenderit ku në këtë njoftim Agolli duket që ka përshtatur kriteret me fituesin e parapërcaktuar.

Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje dhe hapjen e ofertave nuk ndryshon. Kjo shtojcë u komunikohet menjëherë të gjithë operatorëve në rrugë elektronike.

Kjo lëvizje skualifikoi menjëherë subjektet e tjera të interesuara për këtë tender, sepse për dy ditë që ata kishin afat për dorëzimin e dokumentacionit që ishte data 29 Dhjetor ishte e pamundur fizikisht plotësimi i të gjitha dokumenteve.

Pra këtu del zbuluar mekanizmi se si Dritan Agolli i FSHZH e kishte parapërcaktuar fituesin e këtij tenderi sepse vetëm sipas të dhënave vetëm “Maskarpone” e Alfio Rotanit dhe Endrit Maçit arritën të plotësojnë dokumentet për dy ditë dhe mundi që të shpallej fitues i tenderit.

Por nuk është kjo e gjitha. Djali i drejtorit të FSHZH-së, Dritan Agolli, Flladi Agolli, rezulton me dokumente sipas QKB administrator i një beach bar. Gara kompromentohet kur mëson se kuzhinieri i njohur, Alfio Rotani punon si shef kuzhine në një restorant luksoz në pronësi të djalit të Dritan Agollit.

Alfio Rotani rezulton shef kuzhine në restorantin “Bedouin Beach & Bar”, në pronësi të Flladi Agollit, djali i Dritan Agollit. Pra drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit i jep një tender me vlerë 400 milionë Lekë të vjetra kuzhinierit që punon në restorantin e djalit të tij./tvklan.al