Muaji Janar është mundësia e fundit për Kosovën për të kaluar marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e zi dhe për t’i dhënë fund izolimit. Paralajmërimi vjen nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kur duhet edhe një javë nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme.

Ky Komision do të shprehet nëse Projektligji për Demarkacionin, do të shkojë ose jo për miratim në Kuvend. Marrëveshja mes Kosovës dhe Malit të Zi, përkthehet në humbje të territorit për Kosovën, sipas Komisionit për përcaktimin e vijës kufitare, megjithatë presidenti Thaçi bën thirrje që ajo të ratifikohet.

Kushti i Bashkimit Europian për Kosovën ka qenë i padrejtë, por edhe mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Kosovës është i pajustifikueshëm, tha presidenti kosovar.

Sipas Thaçit, duhet gjetur konsensus për këtë marrëveshje, pasi vetëm atëherë i jepet fund izolimit dhe hapet rruga e Kosovës drejt Bashkimit Europian.

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi dhe ajo asocicionit të Komunave me Shumicë serbe, janë dy kushtet e vëna nga Brukseli për përparimin e Kosovës drejt integrimit europian.

Tv Klan