Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Thellohet kriza ndërmjet presidencës dhe qeverisë. Pas akuzave të ashpra të presidentit të Presidentit të Republikës, ka reaguar së fundmi dhe Ministria e Drejtësisë.

Në takim presidenti Moisiu është shprehur për punë të dobët të dikasterit të rendit dhe të sigurisë në vend, ndërsa ka akuzuar sistemin e drejtësisë dhe gjyqësorin, se nuk po godet korrupsionin dhe krimin, për të cilin jo rrallë sipas presidentit ka të dhëna se mbrohet nga politika. Por akuzat e kreut të shtetit janë kundërshtuar nga anëtarë të qeverisë.

Fatmir Xhafaj: “Do ta konsideroja miopi dhe mungesë koherence çdo deklarim, apo përsiatje fjalësh të ngjitura dhe të përgatitura nga njerëz jo profesionistë, që vënë në dyshim këto arritje në fushën e drejtësisë.”

Në lidhje me akuzat e Moisiut për sistemin gjyqësor Ministri i Drejtësisë i ka kujtuar presidentit, se ky sistem i pavarur mund të organizohet jo nga qeveria, por nga KLD që kryesohet prej tij. Ministri i Drejtësisë është shprehur dhe në lidhje me refuzimin nga drejtësia belge të kërkesës së palës shqiptare për ekstradimin e Altin Arapit, i dyshuar për vrasjen e shoferit të familjes së kryeprokurorit.

Fatmir Xhafaj: “Natyrisht ne kemi vlerësimin tonë lidhur me këtë vendim të marrë nga ministrja belge e drejtësisë. I kemi paraqitur zyrtarisht qëndrimin tonë palës belge, qëndrim të cilën ia kemi bërë prezent Këshillit të Europës dhe BE dhe në vlerësimin tim, në Europë nuk duhet të ketë duble standard, për kërkesa të dërguara nga Shqipëria, të ketë një qëndrim tjetër për kërkesa nëse do të ndodhte ndryshe, që prokurorit të përgjithshëm të Belgjikës t’i vritej shoferi i tij, nuk e di se çfarë do të bënte pala belge.”/tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj