Pas urdhrave të paligjshëm me telefon për ndalimin dhe shoqërimin me forcë nga Aeroporti i Rinasit i shtetasit të huaj Damir Fazlliç, prokuroria nxjerr një tjetër urdhër të paligjshëm. Ajo me datë 10 tetor i ka kërkuar hipotekës që të bllokojë që të gjitha pronat e paluajtshme të kompanive të këtij shtetasi dhe ortakëve të tij.

Kjo kërkesë është e kundra-ligjshme pasi shkresa e bërë nuk është një vendim për sekuestro siç parashikohet nga ligji. Nëse prokuroria do të kërkonte sekuestrimin e pronave të shtetasit të huaj, këtë duhet ta bënte me vendim gjykate dhe të arsyetuar. Aktualisht në dosjen e Damir Fazlliç, në prokurori ndodhen vetëm shkrime gazetash kundër tij dhe asnjë provë që ta implikojë atë me ndonjë shkelje në dëm të shtetit apo të ndonjë qytetari shqiptarë.

Kërkesa për bllokim të pronave të tij pa asnjë provë dhe pa vendim gjykate, është një shkelje flagrante e të drejtës së pronës e mbrojtur kjo në bazë të nenit 42 të kushtetutës e cila thotë: “Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor.”

Por për prokurorinë e Ina Ramës, nuk ka asnjë rëndësi ligji dhe kushtetuta, nuk ka asnjë rëndësi e drejta e garantimit të lirisë dhe të pronës. E rëndësishme është furnizimi i mediave të saj me material për të krijuar përshtypjen e një skandali të madh në një kohë që nuk ka asnjë provë shkeljeje ligjore për të akuzuarit.

Historia politike e Ina Ramës në këtë çështje e cila po përdoret nga kundërshtarët brenda mazhorancës, konsiderohet amoralitet politik dhe juridik. Kjo prokurori e cila vihet në lëvizje nga shkrimet dhe shpifjet e gazetave, vetëm se Damir Fazlliç, erdhi dhe dha një intervistë në TV Klan. Nuk ka bërë asnjë hetim dhe nuk ka marrë asnjë të pandehur për vdekjen e 8 minatorëve në Bulqizë, edhe pse kanë kaluar disa muaj.

Për prokurorinë politike të Ina Ramës, jeta e 8 punëtorëve të pa fajshëm që humbën jetën në punë s’ka asnjë vlerë. Për të është tepër e rëndësishme të denoncohet një njeri që si ka marrë asnjë euro kurrkujt dhe si ka borxh as shtetit, e aq më pak të ketë bërë ndonjë krim më të rëndë.

Ky njeri duhet të përbaltet sepse është miku i kryeministrit. Sepse duke u përbaltur ai, realizohen interesat politike të kundërshtarëve të kryeministrit, kështu shpjegohet vrapi i prokurorisë për ta fryrë këtë çështje në maksimum brenda një harku kohorë prej 24 orësh, në një kohë që për vdekjen e 8 qytetarëve ka muaj që nuk ka gjetur kohë të thërrasë askënd në prokurori.

Me kërkesën e paligjshme për të ndaluar dhe arrestuar në aeroport dhe më pas për t’i bllokuar pronat një qytetari të lirë, ende pa rënduar mbi të asnjë akuzë zyrtare dhe ende pa e marrë të pa ndehur. Prokuroria politike e Ina Ramës, ja ka kaluar dhe prokurorisë së Enver Hoxhës e cila të paktën formalisht i kopsiste letrat dhe procedurat. Me këto veprime ndaj një qytetari të huaj, çdo qytetar shqiptarë ndihet i rrezikuar.

Kjo prokurori provojë se mund të të arrestojë apo mund të të marrë dhe pronat bazuar vetëm në shkrime dhe shpifje gazetash, pa i lënë kohë vetes të paktën procedurialisht të hetoj dhe të verifikoj nëse i akuzuari i gazetave ka kryer ndonjë shkelje ligjore dhe pas grumbullimit të provave ta merrte të pandehur, ta arrestonte dhe t’i sekuestronte dhe pronat.

Për Prokurorinë nuk ka rëndësi nëse Damir Fazlliç, ka kryer ndonjë krim, por për të është mkë e rëndësishme të krijojë një amulli politike dhe zhurmë mediatike e cila si të gjithë çështjet e nisura kështu kanë përfunduar me një vrimë në ujë. Nuk është e rastit që prokuroria e Ina Ramës nuk prononcohet ende për aksidentin e Kosta Trebickës, ku edhe pse të gjithë ekspertët shqiptarë dhe të huaj tashmë e kanë dhënë versionin zyrtarë për aksident automobilistik. Ina Rama hesht sepse ky version bie ndesh me dëshirën e përdoruesve të asaj politik të cilët e dëshironin Kosta Trebickën të vrarë dhe jo të aksidentuar./tvklan.al