Gjermania po kthehet në tokën e premtuar të infermierëve dhe fizioterapistëve shqiptarë. Të zhgënjyer nga mungesa e vendeve të punës dhe korrupsioni për ta blerë punësimin, ata po mësojnë gjermanisht ndërsa një pjesë tashmë kanë emigruar. Deri në vitin 2035, katër milionë persona të moshuar në Gjermani do të kenë nevojë për kujdes. Për t’u përkujdesur për këta katër milionë të moshuar në Gjermani do të duhej që numri i infermierëve të rritej me 500 mijë vetë. Qeveria federale gjermane e di se kjo nevojë nuk mund të arrihet pa punësuar infermierë të huaj. Mediat gjermane tregojnë historitë e infermierëve shqiptarë që shkojnë në Gjermani.

28-vjeçarja Xhuljeta Veliu dëshiron të ndihmojë personat e sëmurë rëndë. Me një diplomë infermierie, ajo ka pasur fat të punësohet, që është dëshirë edhe e qindra bashkëmoshatarëve të saj, por ajo pret të largohet pasi të ketë përvetësuar gjermanishten.

“Është shumë e vështirë jeta këtu. Paga mujore është shumë e ulët dhe me të nuk mund të mbuloj të gjitha shpenzimet e mia të përditshme jetësore. Unë nuk mund të paguaj as qiranë e banesës dhe as mund të mendoj që të blej një apartament, qoftë edhe në përmasa modeste”.

Që nga viti 2016, në spitalet apo qendrat e kujdesit për të moshuarit kanë ardhur për të punuar 750 infermierë dhe fizioterapistë. Të moshuarit gjermanë janë të kënaqur me infermierët e rinj shqiptarë. 24-vjeçari Renato Benishta punon tashmë në azilin gjerman të pleqve në Lubeck. Në Gramsh, vendlindjen e Renatos nuk ka punë dhe korrupsioni gjithnjë e më shumë po lulëzon.

“Për një vend pune duhet paguar të paguash para nën dorë si ryshfet që të emërojnë diku në ndonjë spital. Por, edhe atëherë nuk je i sigurt se sa kohë do të jesh në këtë vend pune pasi shpesh të largojnë pa arsye për të marrë dikë që ka paguar po ashtu që të punësohet.

Për çdo vit, në Shqipëri diplomohen rreth 2 500 infermierë. Ata kryejnë studimin e lartë dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre mund të gjejnë ndonjë vend pune në vendlindje, ndërsa paga e tyre nuk është më e lartë se 300 euro në muaj. Kjo është shumë pak për të krijuar një familje. Prandaj, shumica punojnë në Itali apo Greqi, ndërsa ata që janë martuar detyrohen që gratë t’i lenë në atdhe.

Klan Plus