Ushtria izraelite gjeti sërish trupat e tre pengjeve të tjera në Rripin e Gazës pasi u vranë gjatë sulmit të 7 tetorit nga militantët e Hamasit.

Trupat e Hanan Yablonka, Michel Nisenbaum dhe Orion Hernandez Radoux u gjetën gjatë një operacioni të përbashkët nga ushtria dhe shërbimet e inteligjencës në Jabalia, në Gazën veriore, ku ka pasur luftime intensive ditët e fundit.

Zëdhënësi ushtarak, kundëradmirali Daniel Hagari, tha se Izraeli ishte i vendosur të kthente pengjet e mbetura që ende mbahen në Gaza. Forumi i Familjeve, një grup që përfaqëson familjet e pengjeve, i bëri thirrje qeverisë të shtojë përpjekjet për një marrëveshje për të rikthyer pengjet e mbetura.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Mike Johnson ka deklaruar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu së shpejti do t’i drejtohet një takimi të përbashkët të Kongresit mes tensioneve të rritura me Presidentin Joe Biden mbi trajtimin e luftës në Gaza teksa Izraelit i është kërkuar që të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë.

Kombet e Bashkuara kanë rifilluar transportin e ndihmave humanitare që mbërrijnë nga skela e ndërtuar nga SHBA pasi dërgesat u ndaluan për dy ditë për shkak se disa kamionë me ndihma u kapën nga palestinezët. Më shumë se 900,000 palestinezë janë zhvendosur nga luftimet në vetëm dy javë dhe tani nuk kanë strehim, ushqim, ujë dhe ilaçe.

Klan News