Lajme Arkiva 2003

Sërish tritol shtyllave të tensionit të lartë në rrethin e Krujës. Kësaj here akti i pastër terrorist është ekzekutuar në fshatin Budull rreth 3 kilometra larg Fushë Krujës.

Shtylla e hedhur në erë i përket linjës së Komanit dhe shërben për lidhjen me Greqinë. Shpërthimi mendohet të ketë ndodhur para disa ditësh, por vetëm sot banorët e fshatit kanë parë përkuljen e shtyllës.

Menjëherë është lajmëruar policia dhe në vend kanë mbërritur forca të shumta policore, ekspertë anti terror nga Durrësi si edhe përfaqësues nga ndërmarrja e KESH-it.

Tritoli që mendohet se ka qenë në masën 150 deri në 200 gramë për secilën nga këmbët ka çarë bazamentin e dy prej tyre.

Kanë nisur hetimet për të kapur autorët por deri më tani nuk ka asnjë rezultat. Vetëm një javë më parë në fshatin Zallë afër Fabrikës së Çimentos në Fushë Krujë u hodhën në erë dy shtylla të tjera të tensionit të lartë./tvklan.al