Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Pozita dhe opozita kanë arritur marrëveshjen e parë për procesin elektoral të zgjedhjeve parlamentare. Palët janë marrë vesh për të garantuar zgjedhje të lira dhe të drejta, nëpërmjet ndryshimeve dhe plotësimeve në aktet nënligjore. Realizimin e të drejtës themelore të çdo qytetari me të drejtë vote, për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, garantimin me të drejta të barabarta të palëve pjesëmarrëse në zgjedhje, kontrolli në vendimmarrje, etj.

Dy drejtuesit e tryezës Ruçi e Gjana, kanë deklaruar se tryeza e dialogut, do të mblidhet një herë në dy javë në funksion të respektimit të afateve ligjore për zgjedhjet parlamentare. Deri më datë 12 Mars, palët do të paraqesin në tryezë projekt-amendamentet për të mundësuar funksionin normal të institucioneve zgjedhore, transparencë maksimale përballë zgjedhësve dhe krijimin e një klime qytetare. Do të hartohet marrëveshja për një kod etik zgjedhor, i cili do të nënshkruhet nga të gjitha forcat politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare.

Gjithashtu me problematikat që kanë të bëjnë me listat e votuesve, si dhe me ndarjen e zonave elektorale, palët i kanë propozuar kuvendit të Shqipërisë, krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar me detyra dhe afate të përcaktuara qartë dhe mbi bazën e konkluzioneve të këtij komisioni, palët përfaqësuese të tryezës, kanë rënë dakord që të paraqesin amendamente shtesë te kodi elektoral dhe ligji për zonat elektorale./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame