Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka zhvilluar një miting elektoral në qytetin e Lezhës. Nën moton “Shqipëria fillon tek familja jote”, Mediu u ka bërë thirrje qytetarëve të Lezhës të votojnë kandidatët republikanë.

Fatmir Mediu:- “Në emër të gjithë rinisë së Lezhës dhe gjithë Shqipërisë, e cila po largohet pa shpresë nga ky vend, në emër të prindërve tanë, në emër të fëmijëve tanë, të cilët duan që të zhvillojnë aftësitë e tyre për arsimim, për edukim dhe zhvillim, ju ftoj që në 12 Tetorit të bashkohemi për të treguar përfundimisht, që ka ardhur koha e ndryshimit, ka ardhur koha e shpresës për Lezhën dhe gjithë Shqipërinë”.

Kryetari i PSD Skënder Gjinushi, zhvilloi takime elektorale për prezantimin e kandidatëve në rrethin e Korçës, Kolonjës dhe Devollit. Në takimet e mësipërme elektorale, lideri socialdemokrat theksoi, se fitorja në 12 Tetor do t’i takojë të majtës, socialdemokracisë.

Skënder Gjinushi:- “E majta ka treguar që di që qeverisë Tiranën, di të qeverisë edhe gjithë Shqipërinë. Ajo është në gjendje të sigurojë të ardhura, ashtu siç është në gjendje të sigurojë financime, veçanërisht nga financimet e huaja. Unë dëshiroj të them këtu, që ka komuna që në tre vjetët që po mbyllim, kanë investuar në komunën e tyre më shumë se në këto 10 vjet”.

Turi elektoral i presidentit të Aleancës Demokratike Neritan Ceka, ka pasur si bosht të tij aksin Kuçovë-Berat. Në këto takime merrte pjesë dhe deputeti i PS Bashkim Fino, si dhe mjaft zyrtarë të tjerë të Aleancës Demokratike dhe PS në këto dy qytete. Ceka në fjalën e tij ka evidentuar punën e bërë nga të zgjedhurit bashkiak të koalicionit Aleanca Demokratike dhe PS në qytetin e Kuçovës. Sipas tij, arritjet në këtë qytet janë një shembull mjaft i mirë për shumë bashki e komuna të vendit./tvklan.al