Pallati i sportit Maria Piantanida në qytezën e Varezes, pranë Milanos është përzgjedhur për t’u mbajtur takimi i kryeministrit Edi Rama, në kuadër të turit “Krenar për Shqipërinë”. Takimi me shqiptarët e Italisë do të mbahet të dielën në orën 11.

Salla ka kapacitet për të ulur afro 5 mijë persona, por organizatorët e takimit kanë pritshmëri që turit të kryeministrit t’i bashkohen më shumë se 10 mijë shqiptarë që jetojnë në shtetin fqinj.

Ndryshe nga Athina, në Milano autoritetet lokale italiane kanë qenë të disponueshme për të mirëpritur takimin e kryeministrit shqiptar dhe madje kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe drejtuesë të disa komunave të qytetit verior.

Takimi do të ketë dhe anën e tij të spektaklit ku veç Noizit që do ta shoqëroje turin e kryeministrit ashtu si dhe në Athinë, do të performojë dhe Alban Skënderaj, këngëtari që një pjesë të jetës së tij e ka ndarë mes Shqipërisë dhe Italisë.

Ndryshe nga Athina është menduar dhe pjesa e fjalimeve, në arenën sportive Maria Piantanida, pjesëmarrësve do të ju drejtohet vetëm kryeministri Rama dhe nuk do të ketë eksponent të tjerë socialistë që do të përshëndesin shqiptarët e pranishëm.

Takimet e radhës do të jenë me shqiptarët e Londrës dhe Duseldorfit, ky i fundit do të mbyll dhe turin “Krenar për Shqipërinë”.

Klan News