Ahmet Dursun:“Është vërtet një emocion i papërshkueshëm në këtë moment pasi për ta bërë një 170 faqe më është dashur afërsisht 17 muaj.”

Është libri i tij i parë dhe e ka shkruar në gjuhën shqipe. Turku Ahmet Dursun vjen me një roman kundër paragjykimit, “Himni i zemërgjerësisë”, siç pëlqen ta quajë ai “Penën e Gardianit”, ku trajton një temë sa delikate aq edhe të mistershme, atë të jetës në burgjet shqiptare të pas viteve ’90 dhe paragjykimin e shoqërisë ndaj fëmijëve të të dënuarve.

Ahmet Dursun:“Ajo çka unë dua të shpëtoj aq sa mundem është fëmijët e tyre të ndjekin arsimin e duhur dhe të jenë kontribuues të nesërmen.”

Ka jetuar për 18 vjet në Shqipëri, ku ka përfunduar studimet për kanto dhe po ndjek ato në drejtësi.

Është i angazhuar në Qendrën për Përgjegjësi të Barabarta, por më i njohur është për biznesin e tij, një restorant që ofron gatime tradicionale turke në kryeqytet.

Tashmë gjithçka e ka të lidhur me Shqipërinë. Përfshirja në zhvillimet e vendit e ka cytur dhe në botimin e tij të parë në shqip.

Ahmet Dursun:“Ky libër për herë të parë shkruhet për burgjet e mbas viteve ‘90”.

Hidhërimi dhe gëzimi shkojnë tok në “Penën e gardianit”, por ritmi i romanit është i fuqishëm me mendimin që të shigjeton çdo çast, “Duajeni njëri-tjetrin se në fund s’do t’ju dojë askush”.

Që nga viti 1991 Ahmet Dursun la qytetin e tij të lindjes, Adananë e Turqisë për të gjetur Shqipërinë dhe shqipen që tingëllon në të folurën e tij si gjuha e nënës.

Ahmet Dursun:“Kam rreth 18 vjet që jetoj në Shqipëri. Shqipja të mundëson që të shprehesh lirshëm. Është e pasur, është shumë e bukur, kështu që kjo ka qenë një frymëzim i shoqëruar edhe me gjuhën shqipe.”/tvklan.al