Emisioni “Stop” bashkëpunoi në hetime

Prokuroria e Posaçme arrestoi avokatin Lavdosh Shehu për akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publik”.

Avokati rezulton t’u ketë marrë familjarëve të një të dënuari në Itali, 5 mijë Euro me premtimin se do realizonte transferimin e tij në Shqipëri.

SPAK nisi hetimet pas të dhënave që emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan, dorëzoi pranë Strukturës së Posaçme, duke dokumentuar shkeljet e avokatit.

Ashtu sikurse ka rezultuar nga provat, Shehu ka kërkuar një shumë prej 12.000 Eurosh  nga familjarët e të dënuarit Fatos Hyseni, duke premtuar dhe siguruar atyre se ka aftësinë për të ushtruar ndikim në funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për transferimin.

Nga shuma e kërkuar, Shehu ka marrë vetëm 5 mijë Euro, ndërsa ndërhyrja tek zyrtarët e Ministrisë nuk është realizuar.

Me provat e paraqitura nga SPAK, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për avokatin.

Tv Klan