Një sulm ukrainas më dron “hodhi në erë” një depo municionesh në rajonin perëndimor të Trevit në Rusi.

Dronët e Ukrainës shënjestruan magazinën e operuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes në qytetin Toropets, e cila ruante sistemet e raketave taktike Iskander, sistemet e raketave taktike Tochka-U, bomba ajrore të drejtuara dhe municione artilerie.

Pamjet e mara nga satelitët tregojnë shtëllungat e mëdha të tymit si pasojë e zjarrit masiv. Shpërthimi i depos së municioneve ka shkatërruar disa ndërtesa që ndodheshin përreth. Banorët e prekur përfshirë këtu edhe 11 fëmijë janë evakuuar në mënyrë që shërbimet e urgjencës në vendngjarje të mund të punojnë plotësisht për të vënë nën kontroll flakët.

Mediat dhe autoritet lokale raportojnë se nuk ka civilë të lënduar si pasojë e këtij sulmi ajror me dronë nga Ukraina.

Nga ana tjetër Ukraina ka shtyrë aleatët e saj kryesorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për të dhënë dritën jeshile për të kryer sulme me raketa në objektiva më thellë në territorin rus.

Javën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi anëtarët e NATO-s se heqja e kufizimeve për përdorimin e sistemeve të raketave me rreze të gjatë veprimi nga ana e Ukrainës do të nënkuptonte hyrjen në luftë me vetë Rusinë./tvklan.al