Unaza e re e Tiranës ka mbetur në mëshirë të fatit. Prej dy vjetësh, kjo rrugë e një standardi të sigurisë së lartë nuk mirëmbahet dhe nuk pastrohet, ndërsa individë e biznese të ndryshme sillen me të si të ishte pronë e tyre, duke e dëmtuar dhe duke cënuar rëndë sigurinë e saj.

Përgjatë unazës, siç shihet në këto pamje në segmentin Sauk-TEG, kanë nisur të hapen hyrje-dalje vend e pavend.

Televizioni Klan u interesua pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili u përgjigj duke thënë se Unaza nuk ishte më pronë e tij, por prej vitit 2021 i kishte kaluar Bashkisë së Tiranës.

Por bashkia thotë se pronar i rrugës është Autoriteti Rrugor, i cili ka përgjegjësinë për mirëmbajtjen e akseve kombëtare.

Por teksa dy institucionet bëjnë ping-pong dhe janë në konflikt se kush është pronar i rrugës, Unaza vijon të dëmtohet, duke sjellë pasiguri për mijëra drejtues automjetesh që e përdorin çdo ditë atë.

Lënia pas dore dhe dëmtimet që kanë ardhur prej mosmirëmbajtjes apo ndërhyrjeve, kanë bërë që ajo ta humbasë standardin me të cilin është projektuar dhe zbatuar, si një rrugë e sigurisë së lartë.

Këtu, përveç pronarit të vërtetë, gjithkush tjetër sillet si pronar, duke krijuar sipas dëshirës hyrje e dalje jashtë standardit, që kthehen në burim për aksidente.

Përveç kësaj, si pasojë e mosmirëmbajtjes rutinore, rruga është mbushur me dhera e zhavorr, që po dëmton automjetet që e përdorin atë. Dhe për aq kohë sa kjo rrugë do të mbetet pa Zot ajo do të vijojë të degradojë, duke bërë që edhe siguria e drejtuesve të mjeteve të mbetet në dorë të Zotit.

Tv Klan