Shihet si simbol i ndarjes së Mitrovicës, hapja e urës së Ibrit është kthyer sërish ndër temat kryesore në vend. Pas deklaratës së zëvendësdrejtorit të policisë se ura do të hapet së shpejti për qarkullimin e veturave, asamblistës e Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut të zbatojë vendimin e marrë një vit për parë për hapjen e urës.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Uglanin, ka thënë se i takon nivelit qendror ta zbatojë vendimin e jo komunës.

“Janë kompetenca të MPB dhe qeverisë përmes dialogut edhe me bashkësinë ndërkombëtare, hapat konkretë duhet t’i marrë qeveria”.

Hapjen e urës e ka kritikuar Lista Serbe, kjo parti tha se një veprim i tillë destabilizon vendin.

“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i tregojë Kurtit se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës. Është absolutisht e panevojshme, e papranueshme dhe një lëvizje përshkallëzuese, që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

E në BE thonë se çështja e hapjes së urës është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ne jemi të interesuar të parandalojmë edhe një krizë tjetër, kemi pasur mjaft të tilla tashmë dhe pak zgjidhje e hapa drejt përshkallëzimit. Në lidhje me pyetjen tuaj, për hapjen e urës në Mitrovicë, ajo ka qenë temë e dy marrëveshjeve të dialogut të lehtësuar nga BE, më 2015 e 2016. Dhe pavarësisht përpjekjeve për të ndërmjetësuar përgjatë viteve, kjo urë mbetet e mbyllur për qarkullimin e makinave”, tha zëdhënës i BE-së, Petër Stano.

Që nga paslufta kjo urë nuk është shfrytëzuar për qarkullim pasi në anën veriore jetojnë shumica serbë e në atë jugore shqiptar. Në vitin 2011 kjo urrë ishte barrikaduar për t’u hequr ato pas 4 vitesh. Ndërsa kanë dështuar përpjekjet për hapjen e urës ndonëse kishte dy marrëveshje më 2015 dhe 2016 për një gjë të tillë. Ura aktualisht është e hapur vetëm për këmbësor.

Tv Klan