Banorët e Kan Junusit në Rripin e Gazës po kthehen në qytetin e tyre, pasi ushtria izraelite vendosi të tërhiqet nga zonat jugore.

Qyteti më i madh në jug të territorit palestinez është shkatërruar në pjesën më të madhe nga lufta izraelite kundër Hamasit. Shumë banorë thonë se nuk gjejnë dot as se ku i kanë patur shtëpitë.

“Do shkoj tek shtëpia ime e shkatërruar. Do shkoj të gërrmoj atje, për të nxjerrë ndonjë bluzë që ta vesh.”

Kan Junusi është bombarduar prej muajsh, intensivisht nga ushtria izraelite. Izraeli njoftoi se po redukton trupat në Rripin e Gazës, por një numër i madh ushtarësh do të vazhdojnë të qëndrojnë në veri.

Për momentin, duket se është shmangur sulmi i planifikuar në Rafah, pas presionit të madh të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve për të shmangur viktimat dhe vuajtjet mes 1.5 milionë civilëve të strehuar atje.

Uashingtoni nxit Tel Avivin për një armëpushim, por qeveria e Netanjahut thotë se nuk do të ketë ulje të armëve pa u liruar 130 pengjet e mbetur në duart e Hamasit.

Tv Klan