Kreu i PBDNJ: Akt i paprecedent, është i orkestruar nga Kryeministri

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, e konsideron urdhër politik arrestimin e Fredit Belerit në Himarë, i cili është kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Në një reagim në orët e vona të natës, Dule e konsideron këtë episod si akt të paprecedentë dhe thotë se është orkestruar nga Kryeministri Edi Rama.

“Pak pas mesnate, pas 1 jave deliriumi, gjuhë urrejtje, përçarjeje dhe stigmatizimi nga ana e Kryeministrit Rama kundër kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë, z.Beleri, me urdhër dhe me porosi të tij, forca policore me tërë kuptimin e fjalës rrëmbyen në qendër të qytetit dhe shoqëruan për në komisariatin e Vlorës z.Beleri dhe avokatin e tij të cilët sapo kishin dalë nga një darkë. Është një akt i paprecedent, i shpjegueshëm nga çdo këndvështrim dhe optikë demokratike. Është një fenomen i cili ka lidhje vetëm me regjimet totalitare.

Thirrja jonë është lirimi i menjëhershëm i z.Beleri, garantimi i procesit zgjedhor, i votës së qytetarëve dhe heqja dorë një herë e mirë nga z.Rama nga intimidi i qytetarëve dhe nga përpjekja për të tjetërsuar vullnetin e sovranit. Kemi paralajmëruar si PBDNJ me deklaratën tonë të pardjeshme dhe dëshirojmë përsëri edhe sot t’u drejtohemi mediave të jenë të pranishme me qëllim që të kemi një proces transparent, një proces i cili do të respektojë vullnetin e sovranit.

U drejtohemi përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar për monitorim të qendrave të votimit dhe të KZAZ-së Bashki Himarë sepse vetëm kështu do t’i priten shanset Kryeministrit Rama i cili ka vënë objektiv të tij strategjik në shërbim të interesave të tij klienteliste në implementim gjatë gjithë viteve të fundit në dëm të pronave të Himarës me qëllim që të garantohet procesi dhe shmangia me çdo kusht e manipulimit të tentuar nga z. Rama. Z.Beleri duhet të lirohet menjëherë, duhet që t’i lejohet të ushtrojë si çdo qytetar i lirë, si çdo qytetar pa probleme me ligjin siç është të vazhdojë aktivitetin e tij si të gjithë kandidatët e tjerë dhe të kurorëzojë fitoren që është e dukshme dhe e prekshme në çdo familje dhe në çdo komunitet të Bashkisë Himarë”, deklaroi Vangjel Dule.

Klan News