Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas miratimit të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën elektorale, aleatët e PS u janë kthyer forumeve të partisë, për të parë pozicionet e tyre në koalicionin qeverisës për integrim. Për PBDNJ, shtatori do të jetë muaji i ndryshimeve të mëdha.

Vangjel Dule: “Do të jetë muaji i vendimeve dhe konkluzioneve në Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. I mbetet Partisë Socialiste të japi shpjegime, sepse mosrespektimi i marrëveshjes midis nesh është e njëanshme. Rrjedhimisht është përgjegjësia e tyre, sepse me qëndrimet e tyre kanë vënë në dyshime të mëdha vazhdimësinë e funksionimit dhe të mirëkuptimit brenda radhëve të koalicionit. Ndërsa përsa u përket zgjedhjeve parlamentare, do të dëshiroja të theksoja, se nuk ndodh në asnjë vend të civilizuar, që qeveria të kërcënojë veten me zgjedhje të parakohshme”.

Ndërsa kryetari i PBDNJ respekton afatin 6 mujor të marrëveshjes së firmosur me socialistët, një marrëveshje së cilës i humbi qëllimi duke mbartur çdo muaj vetëm emrin koalicioni për integrim, Paskal Milo nga demokracia sociale duket më i paduruar dhe i vendosur për të mbyllur hesapet me socialistët brenda muajit Korrik.

Paskal Milo: “Duke qenë se, kryetarët e partive të koalicionit për integrim dhe sekretarët e përgjithshëm nuk janë mbledhur asnjëherë për të diskutuar rreth problemeve të rëndësishme që ka vendi dhe qeverisja dhe duke qenë se deri tani është refuzuar vazhdimisht çdo kërkesë e PDS nga ana e drejtuesve të PS, për të bashkëpunuar, kryesia e partisë vendosi që, t’i sugjerojë mbledhjes së afërt të radhës të komitetit drejtues të partisë, që të marrë përfundimisht në analizë dhe të vendosë, nëse demokraciasociale do të qëndrojë apo do të largohet nga koalicioni për integrim”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj