Lajme Arkiva 2003

Kufoma e personit që dyshohej si vrasës i Fatmir Ramës te kartodromi është varrosur gjatë orëve të para të ditës duke mbetur i paidentifikuar. Trupi që qëndronte në morg prej 10 ditësh kishte mjaft të dhëna që bën policinë të dyshonte se bëhej fjalë për atentatorin e datës 29 mars në lokalin e të njohurit si Miri i Xhikes. Vrasësi u godit në vendngjarje me pistoletë nga Ylli Kelmendi shok i viktimës Fatmir Rama.

Disa metra larg vendngjarjes u gjend maska e shpuar me një plumb dhe gjurmë gjaku. E ndërkohë që policia po kontrollonte spitalet e vendit në kërkim të një pacienti me plagë plumbi në kokë, ditë pas atentatit një trup pa jetë u gjet në afërsi të një zone të banuar pranë liqenit në një kanal me ujë.

Në fillim personi u cilësua si i mbytur, por në morg u pa se kufoma kishte një plagë në veshin e majtë, kjo bëri që policia të hidhte dyshime se kufoma e morgut ishte vrasësi i kartodromit i goditur me plumb në kokë.

Për këtë u morën edhe kampion të gjakut që janë dërguar në Itali për tu krahasuar ADN-ja e kufomës me ADN-në e gjakut të gjetur në vendngjarje dhe në maskën e hedhur. Por ndërkohë që analizat laboratorike pritet të zbardhen pas disa javësh, kufoma që dyshohet të jetë e autorit të vrasjes më të bujshme të kohëve të fundit është varrosur si i paidentifikuar në një parcelë së bashku me të tjerë persona të vdekur dhe pa identitet.

Ekspertët mjekoligjor janë shprehur se kufoma ishte në gjendje të rënduar dekompozimi për shkak  të qëndrimit të gjatë në ujë. Gjendja e trupit dhe mungesa e objekteve personale sipas tyre ka bërë të vështirë identifikimin dhe për këtë është vendosur varrosja vetëm pas 10 ditësh qëndrim në morg pa u gjetur identiteti./tvklan.al