Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj në takimin falenderues me socialistët e Laprakës dhe Njësisë 11 komentoi protestat e opozitës para bashkisë, duke thënë se e vetmja alternativë që ofron PD-ja në 2024 është djegia e gomave dhe sulmet me molotovë.

“Më pyesin njerëzit pse nuk u përgjigjesh atyre. Po kujt t’i përgjigjem? Aq goma sa djegin ata, ne kemi ndërtuar shkolla të reja. E kisha atë kandidatin në zgjedhje dhe u rrah me 60 mijë vota. E shoh në çdo protestë, ka më shumë flokë. Aq sa mbjell ai flokë në kokë, ne kemi bërë shkolla në Tiranë”.

Për Veliajn, PS ka kurajon që t’i shohë njerëzit në sy, pasi sipas tij, është e vetmja forcë që mban fjalën e dhënë.

“Në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar 100 e ca parti. Por, fakti se shumica e ndershme, punëtore, e drejtë, e palodhur e popullit, ka votuar PS, do të thotë se në një menu me 100 oferta, ka zgjedhur ofertën që i ngjan familjes së tij, punës së tij, djersës së tij, forcës dhe mundimit të tij.”

Veliaj tha ndër të tjera se fitorja e PS-së në zgjedhjet e vitit 2025 është një mision historik për të transformuar realitetin shqiptar si kurrë më parë.

Tv Klan