Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim homologun e tij të Portos, Rui Moreira. Teksa vlerësoi homologun e tij për ndryshimin e Portos, Veliaj tha se ky takim vjen në ditën kur luan edhe Portugalia në Europian.

“Çfarë koinçidencë e bukur sepse sot luan edhe Portugalia, kështu që do të shohim së bashku në shesh edhe Ronaldon, edhe Portugalinë. Por, mbi të gjitha duam të ndërtojmë skuadra, që janë përtej një kampionati mujor, pra dy skuadra mes bashkive tona. Tirana do të jetë vitin që vjen Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, ndaj edhe shpresa jonë e madhe është që nga ky bashkëpunim i nisur me qytetin e Portos, të mësojmë më shumë për turizmin, menaxhimin e qëndrueshëm të qyteteve për transportin publik, për injektimin e artit dhe kulturës, si mënyra për të incentivuar ekonominë.”

Sipas Veliajt, një pjesë e madhe e turistëve që vizitojnë Tiranën janë nga Portugalia dhe kjo tregon miqësinë mes dy shteteve.

“Jam vërtet shumë entuziast që me këtë bum turistik që ka pasur Tirana, një pjesë e turistëve vijnë nga Portugalia, ndoshta prej faktit se ata i kanë parë të gjitha, jetojnë në një vend të bekuar dhe duan të eksplorojnë edhe këtë anë të Mesdheut, dikur i ndaluar dhe hermetik për turistët. Jam vërtet i lumtur kur dëgjoj portugalisht në rrugët e Tiranës.”

Ndërsa kryebashkiaku i Portos, Rui Moreira vlerësoi punën e bërë në Tiranë, duke e cilësuar atë një qytet modern, që ofron shërbime që nuk janë të zakonta as në qytetet e mëdha europiane.

Tv Klan