Gjatë inspektimit të punimeve në një bllok banimi në zonën e Astirit, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj komentoi edhe protestën e fundit të opozitës duke e konsideruar si të shëmtuar.

“E kuptoj kur ke ambicie për të kandiduar dhe shkon nga humbja në humbje me energji të jashtëzakonshme, siç ndodh me kundërshtarët tanë, por ta kthesh këtë ambicie në një produkt pune, ku digjet dhe përdhunohet simboli kombëtar, ku digjet flamuri kombëtar, ku digjen institucionet, që janë monument kulture, kjo s’ka kuptim. As kryeministria e as bashkia nuk janë godina personale, janë monumente kulture, që do i shërbejnë çdo qeverie dhe çdo bashkie që do të shërbejë aty. Kur shkon dhe djeg bashkinë, kryeministrinë, flamurin, tregon se je komplet jo dinjitoz për t’u konsideruar si një ofertë serioze.”

Veliaj shtoi se punët bëhen për të gjithë njësoj, pa i ndarë njerëzit në të majtë apo të djathtë.

“Jam i bindur se forca e madhe qytetare, djegësve të gomave, të ndërtesave dhe të flamujve, do t’u japë një përgjigje spektakolare. Ne do të shkojmë të mobilizuar me pjesën e shëndoshë të shoqërisë, me pjesën që do të mësojë, që do të punojë, që do rend, që do ligj, që do pastërti, që do hijeshi, që do gjelbërim. Kjo është pjesa e shëndoshë. Kjo është shumica e heshtur e popullit që, edhe herën e fundit me 60 mijë vota, por edhe në çdo hapësirë tjetër, del në votime dhe thotë: ‘Unë dua që gjërat të ecin përpara, jo djegie flamujsh, jo djegie gomash, jo djegie institucionesh’. Për të gjithë ata njerëz që kanë besim na duhet që ta kalojmë verën në punë, që të bëjmë diferencën mes atyre që djegin, se duan të kapin shtëpitë e tyre në Lalëz dhe atyre që punojnë përditë, përditë, përditë.”

Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se Bashkia e Tiranës po shtrin investimet edhe në lagjet më periferike të kryeqytetit duke shtuar vlerat e pronave të qytetarëve.

Klan News