Gjatë një takimi me strukturat socialiste të Lagjes 13, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se shumë shpejt dy shkolla të reja, çerdhe dhe kopësht do t’i shtohen komunitetit ndërsa ironizoi edhe protestën e opozitës.

 “Ne kemi ndërtuar në Tiranë 42 shkolla të reja. Ata lodhen duke e dëgjuar, por ne kemi ndërtuar më shumë shkolla se sa ç’djegin ata goma”.

Drejtuesi Politik i Socialistëve për Qarkun e Tiranës gjatë takimit me banorët e lagjes 13 tha se ndryshimi i madh mes PS dhe opozitës, është te qasja që kanë me drejtësinë.

“Si ka mundësi, kur vijnë të bashkia thonë “bravo drejtësia”?! Patjetër që “bravo drejtësia”, se e ka votuar PS, që t’i kërkojë llogari të gjithëve, drejtorëve, ish-drejtorëve, ministrave, ish-ministrave, deputetë e ish-deputetë, kryetarë bashkie, ish-kryetarë bashkie, të gjithëve. Ky është qëndrimi ynë, që kush ka llogari për të dhënë, duhet ta japë. Këta kalojnë tre rrugë më tutje dhe thonë ‘poshtë drejtësia’.

Domethënë, drejtësia te “Murat Toptani” qenka e mirë, kurse drejtësia te “Mustafa Matohiti” qenka e keqe. Vijnë aty poshtë bashkisë dhe thonë ‘lironi babin’. Nuk e kam unë Saliun në bashki, ju premtoj. Kjo është një mënyrë për të vazhduar që të djegin goma dhe në fakt këtë kanë bërë tërë jetën”

Veliaj nënvizoi se diferencën e drejtimit të Tiranës mes socialistëve dhe demokratëve e tregon zhvillimi i turizmit që po përjeton kryeqyteti aktualisht.

Klan News