Lajme Arkiva 2003

Vendimet e kryesisë socialiste një ditë më parë hapin debate brenda socialistëve. Përkrahës të ish kryeministrit Meta shprehen se lëvizjet e tyre kishin paralajmëruar rrezikun e autoritarizmit të kryetarit Fatos Nano në parti.

Mustafa Muçi: Mendoj se të gjitha këto propozime janë në sensin e shtypjes së mendimit ndryshe, janë në sensin  e monopolizimit të partisë nga figurat kryesore të saj dhe veçanërisht nga kryetari i partisë. Pra në një vështrim të përgjithshëm nuk ka asgjë të re përveç asaj që ne një grup deputetësh me kohë kishim lajmëruar që Partia Socialiste po rreshket gjithmonë e më tepër drejt personalizmit dhe arbitraritetit të njëshit.

Dritan Prifti: Kam kryer aq specializime dhe aq vite shkollë sa Fatos Nano dhe nja dy deputetë të tjerë të marrë së bashku dhe nuk kam asnjë shqetësim për veten. Shqetësimin e kam për Partinë Socialiste. Si mendoni ju a mund të përjashtohet nga Partia Socialiste Eduard Alushaj dhe Sabit Brokaj, njerëz të cilët janë kyç në rikthimin në pushtet të Partisë Socialiste për kontributin që ata kanë dhënë që nga viti ’97 në Vlorë.

Spartak Braho: Rrëshqitje e PS-së drejt një diktature të re në parti. Çdemokratizim i saj, kopje e keqe e partisë së Sali Berishës.

Limoz Dizdari: Kështu është me radhë, para një viti e gjysmë ishin disa rebelë të tjerë, tani kanë dalë këta rebelët e rinj.

Të njëjtin koment transmetojnë edhe përfaqësuesit e lëvizjes për katarsis në Partinë Socialiste.

Lekë Çukaj: Do ta shohim në forumet e partisë që është më i larti që vendos KPD-ja. Këto dy grupe kyundërshtohen nga përkrahësit e kryeministrit Nano. Sipas tyre ndryshimi i statutit nuk i shton aspak kontrollin kryetarit të partisë. Madje i ul kopetecat e tij.

Fatmir Xhafa: Nga ato që lexova unë aty nuk ka absolutisht asnjë shtim të kompetencave të kryetarit përkundrazi ka një reduktim të kompetencave të kryetarit në sensin sepse tashmë nuk kemi më në parti një lider të mandatuar vetëm nga kongresi, por kemi kryetarin dhe sekretarin e përgjithshëm.

Bardhyl Agasi: nuk ka parashikuar për zhvillimin e fushatave, pra ndihet kjo mangësi në statutin aktual dhe në bazë të ndryshimit që bëhet mbetet vetëm në ditën e Kongresit shpallja e fushatës. Për të kompensuar këtë kryesia vendosi që të përgatisë një rregullore e cila do të miratohet në komitetin e përgjithshëm drejtues pikërisht për të lënë hapësira të mundshme për kandidatët e tjerë.

Marko Bello: Mendimi ndryshe ka qenë dhe do të jetë një nga asetet më të mira të Partisë Socialiste dhe kam mendimin se kjo nuk do ta cenojë aspak debatin, aspak votën kundër në grup apo në forumet e tjera, por në fund pakica do i nënshtrohet shumicës./tvklan.al