Saimir Tahiri kërkesën për dorëzimin e mandatit e depozitoi në Kuvend mesditën e të premtes. Në letrën drejtuar kryeparlamentarit Tahiri vetëm përmes një fjalie ka kërkuar të ndiqet procedura për lënien vullnetarisht të mandatit.

“I nderuar z. Ruci.

Për arsyet që tashmë i kam bërë publike, kërkoj prej jush të ndiqni procedurat ligjore të parashikuara nga ligji për dorëzimin e mandatit tim si deputet i Kuvendit të Shqipërisë”.

Pasi KQZ të njoftohet nga Kuvendi për vakancën javën e ardhshme pritet te nisë procedurat për zëvendësimin e mandatit të Tahirit. Edhe pse prej 6 muajsh ishte deputet i pavarur, mandati i Tahirit do t’i kalojë Grupit Parlamentar socialist nga listat e të cilit në Tiranë ish-ministri u zgjodh deputet ne 25 qershor. Socialistët fituan 18 mandate në kryeqytet dhe i 19, të cilit i kalon dhe mandati i deputetit renditet ish-deputeti i LSI, aktualisht këshilltar për marrëdhëniet me parlamentin i kryeministrit, Spartak Braho. Ky i fundit ka zhvilluar një takim paraditen e kësaj të premteje me kryeparlamentarin Ruçi. Televizioni Klan mëson se ai e ka njoftuar se do ta pranojë mandatin e deputetit.

Tv Klan