Shtëpia dykatëshe e Sonia Ferreira-s me një pishinë dhe kopsht në një plazh të Brazilit u shkatërrua nga valët  e Oqeanit Atlantik, niveli i të cilit është rritur për shkak të ndryshimeve  klimatike. Katër vjet më vonë, pensionistja 80-vjeçare viziton rrënojat e  shtëpisë  që ajo duhej të braktiste në vitin 2018 për shkak të dallgëve të forta në Atafona, në veri të Rio de Zhaneiros. “Mendova se do të humbisja të gjitha kujtimet e mia. Historia ime nuk  ka të bëjë vetëm me kujtimet e mia, por  edhe me pjesë  të caktuara të  shtëpisë që mbaj mend dhe na kujtojnë njerëzit që nuk janë këtu dhe ata që kanë mbetur.”

Ngrohja globale e cila ka përshpejtuar erozionin e bregdetit të Atafonës duke shkaktuar shkatërrimin e 500 shtëpive buzë plazhit. “Këto janë kujtime që kam në zemër dhe nuk i harroj. Por siç ju thashë, më vjen shumë keq kur e shoh këtë. E kam shmangur ardhjen sepse trishtohem shumë.”

Humbja e tokës në det vihet re në 8,500 km të vijës bregdetare të Brazilit. Niveli i oqeanit është rritur 13 cm në rajonin e Atafona në 30 vitet e fundit dhe mund të rritet me 16 cm të tjera deri në vitin 2050, sipas raportit të OKB-së  me titull “Detet që rriten në një botë të ngrohur” të publikuar këtë muaj mbi erozionin bregdetar. Raporti i publikuar së fundmi nga OKB-ja për qytetet bregdetare nën ndikimin e drejtpërdrejtë të rritjes së nivelit të detit, parashikon një skenar të lidhur me erozionin e bregdetit dhe përmbytjet detare.  “Zonat bregdetare si Atafona mund të shohin përparimin e oqeanit në brendësi të tokës deri në 150 metra në 28 vitet e ardhshme”, thotë Eduardo Bulhoes, pedagogu nga Universiteti Federal Fluminense.

“Kombinimi i ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale, ka shkaktuar një katastrofë për banorët e saj në plazhet e Atafonës dhe nuk ka asnjë shpresë se kjo situatë do të ndryshojë”.

Edhe pse dramatike, gjendja e Atafonës nuk është një fenomen i izoluar në Brazil. Plazhi në Ponta Negra, një nga vendpushimet më të njohura bregdetare në pjesën verilindore të Brazilit, po tkurret gjithashtu. Në dy dekadat e fundit, ka humbur 15 metra rërë të bardhë në det. Pushteti vendor po sjell rërë nga diku tjeter në një përpjekje për të rikuperuar plazhin. Në grykëderdhjen e lumit të njohur të Amazonës, një ekosistem i brishtë po kërcënohet me një humbje të biodiversitetit pasi lumi ka humbur fuqinë për shkak të  thatësirës më të rëndë të regjistruar në rajon , duke lejuar që uji i kripur nga oqeani të përparojë në rrjedhën e sipërme.

Vitin e kaluar, uji i kripur shkoi në Macapa, një qytet 150 km nga gryka e Amazonës, duke shkaktuar kështu ngordhjen e peshqëve. “Uji i kripur vjen më lart në lumë dhe kjo do të ndryshojë të gjithë biodiversitetin e asaj zone,” thotë eksperti  Ronaldo Christofoletti, në Universitetin Federal të Sao Paulos. Christofoletti tha se humbja e tokës në qytetet dhe plazhet bregdetare është e pashmangshme me rritjen e deteve. “Është tronditëse të shohësh shtëpi që po shkatërrohen në Atafona. Por nuk është dashur të ndërtoje shtëpi atje. Duhet të kesh pyje, një breg rëre, ekosisteme që natyrisht do të përgatiteshin për të mbajtur detin,” thotë ai.

Paralajmërimi për rritjen e nivelit të deteve është dhënë edhe nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike.

Klan News