Popujt duhet të ushqehen dhe edukohen me ndjenjën e arsyes e të paqes, me shpresën se dialogu dhe paqja janë të mundshme, me dëshirën dhe vullnetin kundër dhunës e shtypjes, me vendosmërinë për të luftuar kundër varfërisë e përbuzjes racore e fetare.

Kështu e ka nisur fjalën e tij përshëndetëse presidenti shqiptar, Bamir Topi, në takimin e nivelit më të lartë ndërkombëtar për paqen në Qipro, “Qytetërimi i Paqes: Besimi dhe Kultura në Dialog”.

Përpara të pranishmëve ku spikasnin figura të njohura të politikës dhe komuniteteve fetare, presidenti shqiptar bëri një panoramë përmbledhëse të asaj që ka ofruar populli shqiptar, si pjesë e Ballkanit, duke sjellë si shembull tolerancën fetare, një shembull i mirë i një prej elementëve të qytetërimit.

Vizioni shqiptar liberal ndaj besimit plotësohet me shpirtin mikpritës e tolerant për të pranuar njëri- tjetrin, me identitetin e tij dhe pa paragjykime, nënvizoi presidenti shqiptar duke kujtuar dhe qëndrimin e shqiptarëve ndaj hebrenjve.

Zoti Topi mbylli fjalën e tij duke theksuar se për shqiptarët sfida aktuale mbetet integrimi në komunitetin e vlerave evropiane, por duke ruajtur të kaluarën dhe historinë tonë, identitetin e kulturën e vjetër, shpirtin e traditën tonë të dialogut e të tolerancës.

Vizita e presidentit në Qipro ka vijuar në takimin me presidentin vendas, Demetris Christofias, homologun malazez, Filip Vujanoviç dhe kryepeshkopin Enea Justinianes. Në takim është diskutuar rreth marrëdhënieve mes rajonit dhe situatës në Ballkan./tvklan.al