Rritja e shkëmbimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe lëvizja e lirë e qytetarëve kanë qenë në qendër të bisedimeve mes Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe kryetarit të parlamentit të Malit të zi Ranko Krivokapic, gjatë një takimi në vendin fqinj. Kreyparlamentarja Topalli tha se lëvizja e lirë e qytetarëve është objektivi i qeverisë dhe do të realizohet në vitin e parë të mandatit të dytë të mazhorancës së djathtë.

Jozefina Topalli: “Qeveria shqiptare natyrisht është e interesuar për të punuar fillimisht për bërjen e mundur për përshpejtimin e lëvizjes së lirë së shqiptarëve dhe kjo do bëhet në mandatin tjetër, do të mbyllet në vitin e parë të mandatit të ardhshëm”.

Duke falënderuar Malin e Zi për njohjen e shtetit të Kosovës, zonja Topalli tha se pavarësia e saj bën që perspektiva europiane e rajonit të jetë më e sigurt dhe më e qartë. Në takim u bisedua dhe për projektet e para hekurudhore. Gjatë vizitës së saj në Malin e Zi, kryeparlamentarja Topalli  u takua dhe me presidentin malazez, ministrin e jashtëm dhe përfaqësues të partive shqiptare në parlamentin vendit fqinj./tvklan.al

Gazetare: Xhumelina Dervishi

Montazh: Ergis Hasanbelli