Vodafone Albania është kompania e parë celulare në Shqipëri që ul çmimet e tarifave të telefonisë së lëvizshme. Ata që do të përftojnë prej datës 8 shtator nga ulja do të jenë klientët e shërbimit me parapagesë.

Haris Broumidis: “Shoqëria Vodafone në vijim të politikave të reja për çmimet do të ulë me 26% thirrjet telefonike për abonentët Vodafone Card. Vodafone ka hedhur në treg plane të ndryshme tarifore për t’iu përshtatur më së miri nevojave për komunikim të korporatave, bizneseve të vogla dhe të mesme si dhe individëve apo familjeve”.

Shoqëria Vodafone Albania, e cila operon në vendin tonë prej vitit 2001, ka në plan të ndjekë edhe në të ardhmen politika të uljes së kostos të bisedave telefonike.

Vodafone që prej Tetorit të 2006-tës ka reduktuar kostot e shërbimit Vodafone Card deri në 30%, ndërsa tarifat e grupit Vodafone Club deri në 50%. Kjo shoqëri numëron rreth 1 milionë e 200 mijë abonentë në të gjithë vendin./tvklan.al