Florind Shabani, 40 vjeç është ekstraduar nga Gjermania si i përfshirë në një vrasje që ka ndodhur në vitin 2009 në qytetin e Elbasanit.

Shabani në datën 22 Korrik të atij viti, në lagjen “Vullnetari”, në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka vrarë me armë zjarri Roland Rexhepin.

Florind Shabani

Për këtë arsye Gjykata e Elbasanit, i ka caktuar në Shtator të vitit 2021 Shabanit masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Roland Rexhepi njihej me pseudonimin “Doda” në Elbasan. Ai ka qenë ish-agjent i antidrogës dhe ish-shofer i drejtuesit të Policisë së Elbasanit, Edmond Koseni.

Roland Rexhepi, është kunati i motrës së Dritan Shemes, 32-vjeçarit që u vra më 19 Tetor të 2006-ës në lagjen Don Bosko në Tiranë.

Roland Rexhepi

Rexhepi u dyshua se kishte tentuar që të prishte vendngjarjen në vrasjen e Sokol Çapjes dhe kishte ndihmuar autorët të largoheshin nga Elbasani. Kujtojmë që kjo ngjarje ka ndodhur më 26 Dhjetor të vitit 2005.

Po ashtu, “Doda” dyshohej se ishte informator i kapjes së armëve në Fier në Gusht të vitit 2006.  

Dy vite më vonë atij iu vra vëllai, Ilir Rexhepi. Ky i fundit nuk mundi t’i mbijetonte plagëve pavarësisht se iu kundërpërgjigj autorit të cilin e plagosi./tvklan.al

Ilir Rexhepi

(Ekzekutimi i Roland Rexhepit është trajtuar gjatë sezonit të kaluar në emisionin “Uniko” si pjesë e një historie të gjatë përplasjesh dhe vrasjesh që kanë ndodhur që prej vitit 2005 në qytetin e Elbasanit)