Bayer Leverkusen po përgatitet për ndeshjen më të madhe në dekada të Bundesligës, ku të dielën do të presë Verder Bremen. Një fitore do t’i japë ekipit të Xabi Alonsos titullin e parë kampion në histori.

Leverkusen ka thyer disa rekorde në kampionat në rrugëtimin e tij, ndërsa ka një avantazh prej 16 pikësh me ndjekësit e Bayern Munchen dhe Stuttgart, ndërsa kanë ngelur edhe 6 takime. Fitorja do t’i japë fund dominimit 11 vjeçar të bavarezëve në kampionat.

Trajneri Xabi Alonso tha se ekipi është i përqendruar në sfidën vendimtar të së dielës.

“Kemi punuar mirë për takimin ndaj Verder. Them se tifozët mund të bëhen gati që të festojnë! Por ne duhet të respektojë  dhe kundërshtarin, pasi është një rival i fortë. Nuk e kam mendjen te rezultatet e Bajern apo te Shtutgard. Do të më pëqlente që të ishim ne, që të fitonim titullin në fushë.”

Leverkusen fitoi për herë të fundit një trofe në vitin 1993, ku ngriti Kupën e Gjermanisë. Në këtë sezon, skuadra e Shabi Alonsos nuk ka humbur ende asnjë sfidë nga tre kompeticionet.

Leverkusen është në çerekfinalet e Ligës së Europës dhe ka siguruar finalen e Kupës së Gjermanisë.

Klan News