Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Të parët që kanë reaguar për ngritjen e faturës së Albtelecomit, e cila do të aplikohet nga nesër janë qytetarët lushnjarë, ku me anë të një peticioni ata kërkojnë anulimin e këtij vendimi të njëanshëm që cenon qytetarin. Jo më heshtje për problemet korruptive dhe ato që të bëjnë të mos ndihesh qytetar i këtij vendi.

Qytetarët lushnjarë këtë herë nuk protestojnë për zgjedhjet apo çështje që u interesojnë vetëm pushtetarëve, por për çdo padrejtësi që rëndon mbi ta. Iniciativën për t’i thënë këto në publik dhe në një debat intelektual e kanë marrë Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, CAO, Avokati i Qendrës Spahiu, analistë të mediave, u janë përgjigjur halleve të këtyre banorëve duke u treguar rrugën ligjore dhe derën e hapur të zyrës së tyre. Problem është ngritja e tarifave telefonike.

Kreshnik Spahiu:- “Pasi u konsultuam me ligjin, konstatuam që Albtelecomi shqiptar ka abuzuar haptazi dhe në arbitraritet me dispozitat e ligjit me komunikacionin. Kemi apeluar dhe kemi ngritur një padi administrative kundër Albtelecomit shqiptar dhe shpresojmë që këto ditë të mbrojmë interesat e 240 mijë qytetarëve”.

Banorët lushnjarë, pjesë e këtij debati kanë përmendur mosnjohjen e pronave të tyre, abuzimit me to dhe keqtrajtimit nga policia e rrethit. Ata nuk kanë frikë të përmendin emra.

Qytetarja e Lushnjes 1:- “Na kanë zënë shkallët e pallatit, një person ka bërë lokalin atje, e kam vajtur tek Fredi Zela, më ka shtyrë dy-tre herë, më ka përplasur, unë vendimin e kam marrë e nuk e prish”.

Qytetarja e Lushnjes 2:- “Ne si qytetarë të Lushnjes kemi bërë denoncime në prokurori, për ish-kryetarin e bashkisë Ylli Myftiun dhe shefen e bashkisë Tefta Vaka që ka bërë një maratonë vjedhjesh pronash”.

Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve ka ndërmarrë një seri bisedash të hapura në qytetet e vendit, duke kërkuar që shtetasit e këtij vendi të mos jenë më turmë e të mos heshtin për dhunimin e të drejtave./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti