Balluku: Gati tuneli i Llogarasë, Thumanë-Kashar e Unaza e Madhe

Viti 2024 do të sjellë finalizimin e dy projekteve të mëdha infrastrukturore siç janë dorëzimi i tunelit të Llogorasë dhe aksi Thumanë-Kashar. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dha garanci gjatë analizës vjetore të dikasterit që drejton, duke thënë se këto vepra do të jenë gati për të mirëpritur shifrat gjithmonë e në rritje të turistëve të huaj.

Ministrja Balluku bëri të ditur se fundi i vitit 2024 do të shënojë edhe përfundimin e Unazës së Madhe.

Nga ana tjetër në tremujorin e parë të këtij viti pritet të nisë edhe gara ndërkombëtare për ndërtimin e Portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano.

Inovacioni pritet të përfshijë edhe sektorin energjetik, ku Shqipëria parashikon të rrisë kapacitetet e instaluara të energjisë së rinovueshme.

Ndër të tjera për sektorin e infrastrukturës me rëndësi konsiderohet ndërtimi i rrjetit hekurudhor Tiranë-Rinas-Durrës, si dhe reforma në sektorin e ujësjellësit e cila pritet të sjellë bilance dhe shërbime më të mira.

Tv Klan