Këtë të Shtunë, radhën e kishin italianët për t’iu drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur 76 përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Europian. Në këtë vend do të votohet edhe të dielën, për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve.

Favorite është e djathta e kryeministres Giorgia Meloni. Italia është vendi i tretë me numrin më të lartë të eurodeputetëve, pas Gjermanisë dhe Francës që votojnë në atë që konsiderohet e Diela e Madhe e zgjedhjeve që zhvillohen në 2/3 e vendeve anëtare.

Këtë të Shtunë u votua edhe në Sllovaki. Me paterica para kutisë së votimit, kryeministri Robert Fico u shfaq për të parën herë në publik pas atentatit që për pak i mori jetën më 15 Maj. Natën e të Premtes edhe kryeministrja daneze Mete Frederiksen u dhunua nga një burrë për arsye ende të paqarta, teksa ecte më këmbë në qendër të Kopenhagenit. Gjendja shëndetësore e saj është e mirë, ndërsa akti u dënua nga liderët e unionit.

Krahas Italisë dhe Sllovakisë, këtë të Shtunë votuan edhe qytetarët e Maltës dhe Letonisë. Nga shtetet që kanë votuar deri më tani, Holanda, Çekia dhe Irlanda, tendenca është për një nivel thuajse të barabartë mbështetjeje për të djathtën radikale dhe grupet liberale.

Tv Klan