Në një analizë për zhvillimin e Kosovës dhe fuqizimin e saj, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha në emisionin “Opinion” në Tv Klan se deri më tani po flitet ose për të shkuarën, ose për luftën. Ai deklaroi se ka zgjedhur një rrugë të re, me një plan konkret investimesh për 4 vitet e ardhshme.

Bëhet fjalë për 4 miliardë euro që vendi mund t’i gjenerojë sepse sipas tij, “gënjeshtra më e madhe që është thënë është që Kosova është e varfër”. Mes të tjerash, ai u shpreh se gjëja më kryesore që i nevojitet vendit, është rizgjimi kombëtar.

Lumir Abdixhiku: Unë kam zgjedhur një rrugë të re.

Blendi Fevziu: Që është?

Lumir Abdixhiku: Rruga e re, rruga e re e LDK-së. 5 miliardë investime për 4 vitet e ardhshme, program politik. Ka para Kosova shumë. Gënjeshtra më e madhe që është thënë ndonjëherë është që Kosova është e varfër. Është shumë e pasur. Ka mjete financiare, ka potenciale të jashtëzakonshme njerëzore, ka hapësira në turizëm, në diasporë, ka 3 miliardë euro fonde pensionale të rezervuara që i investon me 1%, ka borxhin publik vetëm 17%. Pra po flasim për 7 miliardë euro që Kosova mund t’i gjenerojë lehtësisht për t’i investuar në mënyrë konkrete. Mbi të gjitha Kosovës i duhet një rizgjim kombëtar, për një gjë sepse ne po na atakohet fondamenti euro-atlantik. Mos harroni, ju jeni vend i NATO-s, ne jemi në masa evropiane dhe të NATO-s. 25 vjet pas çlirimit, unë i përkas gjeneratës që jam kthyer në Kosovë si refugjat, si fëmijë, forcat e njëjta që hynë në ‘99 dhe mbajnë garancinë,sot jemi të sanksionuar nga ata. Ambasadori i Amerikës në Beograd na thotë që Serbia ka gjasa më të mëdha sesa Kosova për t’u anëtarësuar në NATO dhe kjo në ëndrrat më të rënda të një patrioti shqiptar…

Blendi Fevziu: Ju nuk e kishit menduar.

Lumir Abdixhiku: As që do të ishte pjesë e ndonjë skenari më të errët, më të trishtueshëm e për këtë na duhet një zgjim kombëtar./tvklan.al