Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike është mbledhur pasditen e sotme. I pranishëm online në këtë mbledhje është edhe kryedemokrati, Sali Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha është shprehur se misioni i tyre shpëton Shqipërinë teksa ka shtuar se mbledhja e sotme e këtij forumi ka një rëndësi të veçantë pasi kanë përmbushur 2 nga 3 objektivat e tyre madhorë.

Sali Berisha: Të gjitha këto atribute tuaja bëjnë që mbledhja e sotme e këtij forumi të ketë një rëndësi të veçantë që nuk e ka pasur asnjë mbledhje tjetër qysh nga rithemelimi i PD sepse nëse në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar, ne ende nuk kishim realizuar plotësisht asnjërin nga një nga tre objektivat tonë madhorë, sot ne mblidhemi pasi dy nga tre objektivat tonë më madhorë, për arritjen e misionit tonë, ne i kemi përmbushur. Realizimi i këtyre dy objektivave bën që sot Shqipëria të jetë në një realitet të ri, që deri para pak kohësh do të ngjante i pamundur.

Shkurtimisht do t’i dedikoj disa fjalë, dy objektivave që ne kemi arritur. Por së pari do ta nis duke ju rikujtuar edhe njëherë, rëndësinë, qëllimin e misionit tonë. Në mënyrë të ngjashme, kur PD të fitojë vitin e ardhshëm, dhe ua theksoj këtë: fitorja vitin e ardhshëm është në duart tona. Pra kur PD të fitojë vitin e ardhshëm, fjalimi i fitores do të hapet me fjalët: Gëzuar ditën e parë të rikthimit të demokracisë. Misioni ynë ndan përfundimisht narkoshtetin nga demokracia. Misioni ynë çliron përfundimisht Shqipërinë nga pushtimi më i egër i brendshëm që i është bërë këtij vendi. Misioni ynë shpëton Shqipërinë.

Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se objektivi i tretë dhe i fundit i Partisë Demokratike është fitorja në zgjedhjet e 2025-ës.

Sali Berisha: Objektivi jonë i tretë dhe i fundit… Fitorja është objektivi jonë i tretë dhe përfundimtar. Keni sakrifikuar, jeni rraskapitur 11 vite me radhë. Kurrë nuk e ka merituar një forcë pushtetin më shumë se sot PD. Kurrë nuk ka pasur PD më shumë nevojë për rotacionin. Objektivi i parë u krye, opozitën dhe flamurin e shpëtuam. Asgjë nuk na ndal të arrijmë objektivin e tretë, nuk ka më përçarje dhe vulë të vjedhur dhe konflikte mes nesh. Fitoren jua kemi borxh të gjithë demokratëve që qëndruan për flamur, jua kemi borxh qindra-mijëra shqiptarëve që vuajtën në 11 vite nga vota e vjedhur e Ramës, jua kemi borxh fëmijëve shqiptarë që vuajnë për kafshatën e gojës.

Ne jemi qindra-mijëra dhe ne do të arrijmë misionin tonë. Ne kemi përballë narko-shtetin më të kalbur. 2 detyra kanë mbetur për realizimin e fitores. Detyra e parë është uniteti. 99% e demokratëve janë të bashkuar, por edhe atë 1% që ka mbetur është në detyrën tonë të bëjmë çdo përpjekje që edhe ata të vijnë në shtëpinë e tyre dhe të ndjehen njësoj si ne. Koha ka ardhur të konsolidojmë frontin opozitar më të gjerë. Tani është kohë të bashkojmë në diversitet frontin opozitar për shpëtimin e Shqipërisë. Uniteti në diversitet është detyra jonë e ardhshme. Uniteti, qeveri teknike, votimi i emigrantëve, zgjedhje të lira, objektivi ynë i tretë që duhet ta përmbushim me çdo çmim dhe kam bindjen se do të jemi në lartësinë epike të trimërisë së shqiptarëve. Me kokën lart të urojmë shqiptarët në ditën e parë të fitores, gëzuar rikthimin e demokracisë, rroftë PD.


/tvklan.al