Shuhen shpresat për një reformë zgjedhore konsensuale. Të mbledhur pas disa javësh, grupi i dialogut doli pa një dakordësi nga tryeza e punës, teksa korriku është edhe afati për miratimin e ligjit elektoral. Prerazi socialistët refuzuan kërkesën e demokratëve për rikthimin tek marrëveshja e 5 Qershorit, duke e cilësuar një kapitull të mbyllur.

“Çështja e 5 Qershorit është një çështje e ezauruar, nuk duhet të përmendet më si kusht”, tha Gjiknuri.

Qëndrimin e mazhorancës, opozita e sheh si tentativën e radhës së kryeministrit për të marrë zgjedhjet në tavolinë.

“Ajo që po kërkojmë është diçka e dakordësuar që nga viti 2003, është e mbështetur nga 2 reforma. Kjo tregon vetëm një gjë, keqbesimin e Edi Ramës dhe vullnetin e tij për të fituar në tryezë zgjedhjet”, tha Bylykbashi.

E teksa demokratët këmbëngulin në kërkesën e tyre, mazhoranca duket e vendosur për të vijuar e vetme me ndryshimet, një pjesë e të cilave ajo thotë se janë detyrime kushtetuese që duhen përmbushur, siç është vota e diasporës dhe shpërndarja e mandateve të deputetëve.

“Do të dalim me propozimet tona, për shpërndarjen e mandateve. Nëse nuk bihet dakord, lista mund të interpretohet nga KQZ si e hapur plotësisht. Kemi marrë dhe propozimin e disa kolegëve të opozitës që vota e diasporës të llogaritet atje ku votuesi ka pasur vendbanimin e fundit. Kam dhënë garanci nga ana e mazhorancës që jemi dakord të financojmë votimin e numërimin elektronik në 4-5 qarqet më të mëdha të vendit, por opozita ka hequr pak a shumë dorë”, tha Gjiknuri.

Pavarësisht derës së hapur që socialistët i kanë lënë opozitës deri në minutën e fundit për të sjellë propozime, demokratët këmbëngulin për një reformë të plotë e të drejtë dhe jo arnime ligjore.

“Ndryshimi i njëanshëm për të gjymtuar sistemin zgjedhor nuk përbën gjë tjetër, vetëm se deformon votën. Ky deformim do të transferohet në të njëjtën masë madje duke e përkeqësuar edhe votën e emigrantëve”, tha Bylykbashi.

E në kushtet kur palët janë shumë larg arritjes së konsensusit, mazhoranca paralajmëron edhe lëvizjen e radhës.

“Brenda Korrikut ne duhet të miratojmë ndryshimet ligjore, nëse ka dakordësi, nëse nuk ka dakordësi kodi mundëson zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Gjiknuri.

Pavarësisht nëse palët nuk do të dalim me një dakordësi nga tryeza e dialogut, kreu i KQZ-së pak javë më parë apeloi që puna për reformën zgjedhore të vijoi, ndonëse shumë nga çështjet e adresuara nuk mund të implementohen në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.

Tv Klan