Prezantues i të parit Talent Show Historik “Ethet e së premtes mbrëma”, prezantues dhe drejtues artistik i disa Festivaleve të Dhjetorit në Shqipëri, prezantues e po ashtu drejtor artistik i Festivalit të Parë të Këngës në Kosovë, Adi Krasta, do të jetë një prej katër anëtarëve të jurisë të “X Factor Albania” që do të transmetohet në Tv Klan.

Po kush do të jenë 3 emrat e tjerë të jurisë të programit aq të dashur për shqiptarët? Kjo mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim.

Teksa “X Factor” ka përmbyllur prej ditësh fazën e parë të audicioneve në rrethe dhe në kryeqytet, të përzgjedhurit janë tashmë gati për të vijuar rrugëtimin e tyre në audicionin e madh që do të mbahet në skenën e “X Factor”.

Në këtë rikthim të “X Factor Albania” ka qenë surprizues jo vetëm interesi, por edhe numri i madh i talenteve, të cilët e shohin këtë skenë si mundësinë e tyre të së ardhmes.

Dyshja Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu premtojnë një sezon të suksesshëm të “X Factor”, ku përveç zërave të bukur, pritet edhe një spektakël me shumë surpriza në ekranin kampion “Tv Klan”./tvklan.al