Zbulohen detaje të reja në lidhje me ngjarjen e një ditë më parë ku në zonën e Valiasit u raportua për një grabitje me armë zjarri. Gazetari Besar Bajraktari thotë se punonjësi i një argjendarie Luis Balliu dhe agjenti i krimeve pranë Komisariatit nr.4 Egzon Mustavataj janë grabitur nën kërcënimin e armës nga dy persona që ende nuk janë identifikuar nga policia. Atyre u është grabitur një varëse floriri me vlerë 8 milionë lekë të vjetra.

Sipas verifikimeve, Balliu kishte për qëllim që të shiste varësen e shtrenjë te një person tjetër me të cilin kishin folur në rrjetet sociale. Takimin e kishin lënë në vendin ku i kishte thënë blerësi. Punonjësi i argjendarisë pasi ka patur një varëse të shtrenjë ka lajmëruar shokun e tij, efektivin e policisë së komisariatit nr 4.  Sipas dëshmisë së tyre, pasi kanë mbërritur në vendin e kërkuar nga klienti, një automjet me ngjyrë të zezë, tip Golf 5, me targa të huaja ka ndaluar afër tyre.

Nga mjeti kanë dalë dy persona të maskuar me kapuç dhe shall ku njëri prej tyre mbante një automatik në dorë. Dyshohet se autori madje ka qëlluar në ajër për të frikësuar dy personat. Më pas autori tjetër ka hapur derën e makinës ku ndodheshin Balliu dhe Mustavataj dhe i ka marrë varësen.

Menjëherë më pas punonjësi i argjendarisë ka shkuar në komisariatin nr.5 ku ka bërë kallëzimin. Efektivi i policisë në momentin që ka ndodhur ngjarja ka patur me vete pistoletën e shërbimit, por që nuk e ka përdorur. Në vendngjarje është gjetur një gëzhojë që dyshohet se i përket automatikut të autorëve.

Ditën e djeshme, rreth orës 15:35, në Valias, 2 shtetas ende të paidentifikuar, dyshohet se në kërcënimin e një sendi të fortë në dukje armë zjarri, i kanë vjedhur disa aksesorë floriri, (porosi të bëra online), shtetasit L. B., 22 vjeç, punonjës i një argjendarie. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thotë Policia në njoftimin zyrtar./tvklan.al