Pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” tek “E Diela Shqiptare”, ka qenë Suela e cila ka rrëfyer jetën e saj. Ajo që pas lindjes është çuar tek shtëpia e fëmijës dhe nuk i ka njohur kurrë prindërit e saj biologjikë. Në moshën 10 vjeç u birësua nga dy prindër të cilët deri në moshën 18 vjeç e gënjyen duke i thënë se janë prindërit e saj biologjikë.

Suela Cllini: U adoptova nga dy prindër të mrekullueshëm për mua, jam shumë mirënjohëse Zotit që më ka dhënë prindër si ata.

Ardit Gjebrea: Por ty nuk të thanë që moshën 10-vjeç që do adoptoheshe, por të thanë që po vjen mami dhe babi.

Suela Cllini: Kam qenë në shkollën Jordan Misja atë vit që jam adoptuar. Prindërit e mi kishin shumë kohë që po kërkonin një fëmijë. Ish-nën drejtoresha i kishte thënë që tek shkolla e muzikës është një vajzë me emrin Suela dhe atë nuk e kërkon njeri. Do bëni shumë mirë ta merrni atë se nuk do ju krijojë probleme. Ashtu bënë, erdhën tek shkolla ime, po unë pa e ditur, ata u afruan, kishin marrë disa kuleçë dhe lëpirëse. Kishin ardhur vetëm për të më parë, dhe u afruan me justifikim për të më pyetur ku është shtëpia e filanit.

Pas disa kohësh më thërret drejtori i shtëpisë së fëmijës në zyrë dhe më tha do të të jap një lajm të gëzueshëm. Më tha që kanë ardhur prindërit e tu për të të marrë. Ngela pa fjalë, nisën rrahjet e forta të zemrës sepse e kisha ëndërr.

Ardit Gjebrea: A nuk i pyete ndonjëherë prindërit e tu që të adoptuan se ku ishin 10 vite.

Suela Cllini: Që në momentin që më ka thirrur drejtori në zyrë kam thënë po pse ku kanë qenë deri tani që nuk kanë ardhur për të më takuar? Drejtori tha që kanë pasur shumë probleme. Unë e kuptova këtë gjë dhe nuk pyeta më, as prindërit jo.

Kur kanë ardhur në fundjavë për të më takuar, ishte mami dhe babi dhe nusja e dajës me dajën. Unë nga gëzimi u drejtova nga nusja e dajës sepse e pashë më të re, por ajo më tha që mami është kjo tjetra. Përqafova mamin dhe babin që po vinte nga trotuari.

Kur më morën më kishin blerë një fustan vishnje me kukulla që ishte shumë i bukur dhe më dukej vetja si në përralla. Ishte dita më e bukur e jetës sime dhe fillova të jetoja në Rrogozhinë.  /tvklan.al