Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Tre persona nga e njëjta familje humbën jetën në një aksident të rëndë automobilistik në segmentin rrugor Qafë Thanë-Librazhd. Familja Rrasaj po kthehej nga emigracioni në Greqi, kur u aksidentua me një kamion të tonazhit të rëndë në orën 10:30 të mëngjesit. Viktimat janë bashkëshortët Petro dhe Bukurie Rrasaj nga Shtërmeni i Elbasanit, si dhe nusja e tyre 28-vjeçare Matilda, e cila vdiq pas një ndërhyrje kirurgjikale që rezultoi fatale në spitalin e Përrenjasit.

Drejtuesi i makinës, djali i çiftit Rrasaj 32-vjeçar është në gjendje të rëndë, pasi ka marrë plagë të rënda në kokë dhe në trup. Makina tip Seat me targa greke, ku udhëtonte familja emigrante, devijoi nga rruga duke u përplasur me një kamion të tonazhit të rëndë të Krujës.

Të mbijetuar janë drejtuesi i mjetit të tonazhit të rëndë Petrit Çela që ka marrë plagë të lehta, si dhe 18-vjeçarja E. Ç. nga Cërriku, e afërme e familjes Rrasaj, e cila gjendet në spitalin e Cërrikut./tvklan.al