Të ftuarat e sotme në emisionin “Rudina” në Tv Klan trajtuan ngjarjen e rëndë të dhunës në familje të ditës së premte, më 29 Tetor ku babai 27-vjeçar, ka dhunuar në formën më makabre vajzën e tij, 6-vjeçare. Vajza aktualisht ndodhet e shtruar në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë duke luftuar për jetën e saj. Nëna e 6-vjeçares kishte vetëm pak kohë që ishte rikthyer me ish-bashkëshortin pasi ishin ndarë 6 vite më parë, kur ajo ishte foshnje, pikërisht për shkak të dhunës, por i kishte dhënë edhe një mundësi pasi nuk donte që vajza të rritej pa babain e saj.

Edlira Çepani, aktivistja për Të Drejtat e Njeriut dhe koordinatorja kombëtare e rrjetit “Barazi në vendimmarrje”, përmes lotëve shpjegon se si ngjarje të tilla janë situata që përjetohen shpesh për shkak të mungesës së strukturave adapte që merren deri në thellësi me rastet.

Edlira Çepani: Është një situatë që…Ka një problematikë që nuk është vetëm ky fëmijë, është një situatë që ne e përjetojmë me shumë fëmijë dhe fatkeqësisht unë them gjithmonë që një shoqëri e cila nuk arrin të mbrojë fëmijët e vet është një shoqëri e dështuar. Dhe nuk është puna se ne këta fëmijë i konsiderojmë sikur i kemi larg, është puna se të gjithë fëmijët që ne kemi rrotull dhunohen në një mënyrë a në një tjetër sepse ne jemi një shoqëri, e cila siç e tha profesoresha, ne nuk i kemi sytë drejt fëmijëve, ne nuk i respektojmë në mënyrën e duhur fëmijët. Nga ana tjetër, e kemi normalizuar dhunën deri në atë pikë sa ne nuk e konsiderojmë më dhunën si një krim i cili duhet luftuar në secilën prej hallkave të veta. Këtu kemi një problematikë shumë të madhe, kemi një dhunë të përsëritur. Sot për herë të parë e dëgjova që fëmija është dhunuar edhe në familjen e mëparshme, që kjo grua është dhunuar edhe nga ky bashkëshort te i cili u kthye. Pse është kthyer te bashkëshorti?

Rudina Magjistari: Kanë qenë deklarata që janë dhënë sot në kërkim të marrjes së një informacioni shtesë, gazetarja ka arritur të mësojë këto dëshmi.

Edlira Çepani: Pikërisht, ajo nuk ka arritur të gjejë mbështetje për të jetuar vetëm. Të gjitha këto gra të dhunuara, kthehemi prapë te ajo gjëja që themi gjithmonë. Nuk është vetëm trajtimi i momentit që e çojmë në polici, burgosim dikë dhe mbaroi atje. Këta persona, sidomos fëmijët, por edhe gratë se janë mamatë e tyre të cilat e vuajnë këtë gjë dhe më pas i vuajnë pasojat fëmijët, janë persona të cilët kanë nevojë për një mbështetje të vazhdueshme më pas. Ne nuk mund t’ia trajtojmë dhunën në atë moment, e dënuam personin dhe t’i lëmë atje sepse ja si ndodh. Dhuna është një cikël që përsëritet dhe siç tha profesoresha, në njëfarë pike normalizohet dhe këto familje janë të mësuara me dhunën. Është e tmerrshme që ne shohim dhe dimë për fëmijë gjithandej që dhunohen dhe nuk ngrihet e gjithë shoqëria, i gjithë shteti në këmbë për t’i thënë “Stop se ky është monstruozitet”. Në qoftë se nuk na bën përshtypje dhuna ndaj njëri-tjetrit, dhuna ndaj grave, dhuna ndaj fëmijëve është e paimagjinueshme që ne të jetojmë, ta dimë që aty ka dhunë dhe të mos reagojmë. Unë shoh shtetin në këmbë i cili ngrihet dhe shkon derë më derë duke trokitur për vaksinat. Nuk e kam parë asnjëherë dhe do bëja thirrje “Ju lutem, shkoni trokisni nëpër dyer edhe për këta fëmijët të cilët janë të dhunuar, t’i gjejmë ku janë, t’i ndihmojmë në mënyrën e duhur, jo me fjalë dhe struktura boshe./tvklan.al