Vendimi i opozitës për të ankimuar ligjin për pastërtinë e figurave në Gjykatën Kushtetuese nuk e ka penguar mazhorancën të përzgjedhë emrat për anëtarët që do të përbëjnë autoritetin e verifikimit të figurave.

Edhe pse këta emra nuk bëhen të ditur kryeparlamentarja Topalli një ditë më parë në emisioni “Opinion” të Blendi Fevziut në TV Klan ka pohuar se kandidaturat do të paraqiten ditën e hënë në kuvend.

Ndërkohë një ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të lustracionit zëdhënësi i grupit parlamentar demokrat, Aldo Bumçi, tregon hapat nëpër të cilat do të kalojë zbatimi i tij.

Aldo Bumçi: “Hapi i parë është ngritja e autoritetit. Në ligj parashikohet ngritja e një autoriteti përbërë me pesë persona. Ligji parashikon që autoriteti duhet të jetë i përbërë me dy përfaqësues të shumicës, dy të opozitës dhe kryetarë me konsensus. Në rastin kur opozita nuk pranon që të dërgojë kandidatura për këtë autoritet atëherë ne kemi parashikuar që kandidaturat të merren nga shoqëria civile. Puna e autoritetit bazohet në ligj në mënyrën sesi voton, si merr vendimet, konflikti i interesit, por detaje më të rëndësishme parashikohen në rregulloren e këtij autoriteti që do miratohet nga kuvendi. Një hap tjetër i rëndësishëm është dhe miratimi nga këshilli i ministrave i një personeli mbështetës. Ky është aspekti administrativ-teknik për ngritjen e autoritetit. Në momentin që autoriteti është ngritur, ka rregulloren dhe stafin e tij më pas fillon shqyrtimin e kategorive që parashikon ligji.”

Sipas Bumçit ankimimi i bërë nga socialistët në Gjykatën Kushtetuese i ligjit të pastërtisë së figurave nuk e pengon zbatimin e tij përsa kohë që kjo gjykatë nuk merr ndonjë vendim për pezullimin e ligjit gjatë kohës që ai është nën shqyrtim./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka