Kreu i grupit të PD Gazment Bardhi reagoi ashpër ndaj deklaratave të sotme të Bledi Çuçit sa i takon çështjes së mandatit të Olta Xhaçkës. Në një prononcim për mediat, Bardhi theksoi se vendimet e GJK-së janë detyrim për secilin dhe moszbatimi i tyre shkel në mënyrë flagrante vetë Kushtetutën.


“Kjo deklaratë e çon vendin në kushtet e mosbindjes civile. Nëse secili prej nesh e lë në vlerësim të tij nëse duhet të zbatojë ose jo një vendim gjykate, këtu ka rënë rendi kushtetues, balanca mes pushteteve. Sot kryetari i PD, mbahet prej më shumë se 200 ditësh në arrest shtëpie për shkak se pretendohet se nuk ka zbatuar një vendim gjykate, ndërkohë që Edi Rama me lehtësinë maksimale shkel ligjin dhe jo vetëm që nuk kanë pasoja të ngjashme, por me arrrogancë ja thonë opinionit publik. Moszbatimi i vendimit të GJK sipas ligjit dhe Kodit Penal është vepër penale, është konsumuar ditën për diell në sytë e opinionit publik nga përfaqësuesit më të lartë të mazhorancës.”

Sipas tij, drejtësia nuk mund të mbajë standarde të dyfishta.

“Nuk mund të ketë një drejtësi për opozitën dhe Sali Berishën, dhe një drejtësi për Ramën, Çuçin dhe cilindo tjetër që nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e GJK janë vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, përfundoi Bardhi.

Kujtojmë se në një konferencë për gazetarët, kreu i grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi tha se “Gjykata Kushtetuese nuk i detyron dot deputetët të votojnë për mocionin në Kuvend.”

/tvklan.al