#AldoMorningShow Emision mëngjesi nga #AldonLipe në #TvKlan.

Korridori Blu, Belinda Balluku rendit segmentet e reja rrugore që do të hapen

Ditën e diel u çel segmenti i ri Thumanë-Kashar, një autostradë 21 km e gjatë ku makinat mund të lëvizin me shpejtësi deri në 130 km/h. Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, shpjegoi mëngjesin e së hënës në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se kjo rrugë shkurton më shumë se një orë kohë për automjetet.

Rruga është përfunduar për 15 muaj dhe i përket Kategorisë A. Ky aks është i pari i Korridorit Blu i cili më pas do të vijojë në hapjen e disa segmenteve të reja ku i pari do të jetë Thumanë-Miloti.


Belinda Balluku: Ky është standard i kategorisë A, është kategoria më e lartë e kritereve europiane të korridoreve, të trafikut rrugor. Unë besoj në të gjtha parametrat, pasi ne kemi qenë shumë insistues në efektin e kohës, kishim një kërkesë  që ta kapnim këtë sezon dhe të mos i lejonim edhe një herë të vuanin trafikun e tmerrshëm të Fushë-Krujës, jo vetëm shqiptarët, por edhe turistët e huaj, kështu që efekti i kohës ka qenë i rëndëisshëm për ne, por nga ana tjetër nuk kemi toleruar në cilësi. Është kategori A, kështu janë autostradat e reja europiane sepse nuk janë të gjitha autostradat europiane të kategorisë A, nëse kujtojmë një pjesë të Italisë apo pjesë të tjera, janë edhe ato të amortizuara nga vitet. Ky është një kriter i vendosur vitet e fundit në Europë që do të implementohet në të gjithë Korridorin Blu.

Aldo: Korridori Blu do të thotë nga?

Belinda Balluku: Korridori Blu do të thotë nga Muriqani deri në Kakavijë. Ndërkohë dorëzuam, kjo është dallëndyshja e parë e kategorisë A për Korridorin Blu, më pas vazhdon Thumanë-Miloti, lidhet këto ditë kontrata.

Aldo: Kjo është ajo që i thoshim “rruga e vdekjes?”

Belinda Balluku: Pikërisht. Ne do të hapim garën për me Milot-Balldrenin që është shumë e rëndësishme, është ajo pjesa ku ndahet Shkodra me Lezhën dhe më pas për ta çuar deri në kufi.  Në pjesën jugore kemi dy lote shumë të rëndësishme të cilat do të fillojnë menjëherë nga puna që është nga rrethrrotullimi ku mbaron kjo rrugë ku ne jemi sot që shkon deri në drejtim të Lekajt. Lekaj nuk është vendndodhje shumë e dëgjuar për drejtuesit e automjeteve, kështu që unë po e quaj Rrogozhinë, pra është lidhja me Rrogozhinën, është një rrugë totalisht e re që do të hapet nga fillimi në fund, nuk ekziston. Ajo vazhdon në drejtim të Citypark-ut dhe del në kodrat e… Kuç quhet zona atje, kodrat e Vorës dhe më pas ndjek gjithë rrugën e Ndroqit. Ka qenë një gjurmë e vjetër e ushtrisë të cilën është ndjekur deri diku dhe tashmë vazhdon e bëhet projekti. Del e shkurtuar, ajo do të jetë më komplekse për të thënë të drejtën, kjo ka qenë gjeologji më e mirë dhe më fushore.

Aldo: Dukesh që je përfshirë, vetëm nga ato emrat që ne s’i dimë fare.

Belinda Balluku: Ka Vora Kuç, po dhe është pjesa më e lartë, kodrat e Vorës. Janë njësoj si kuçiotët e Vlorës, edhe këta të Vorës që ta dish. Është një segment më kompleks sepse do të ketë ura, disa tunele të vogla, gjeologjia e Tiranës nuk është gjeologji e mirë pasi është shtuf dhe është shumë e vështirë të ndërtosh vepra infrastrukturore që kërkojnë qëndrueshmëri në zonë, por jam e sigurt që kompanitë shqiptare tashmë e kanë aftësinë për të ndërtuar vepra të mëdha, duket edhe nga rruga ku ndodhemi sot. Më pas, nga Rrogozhina do të vazhdojë në drejtim të bajpasit të Fierit.

Pagesa në aksin e ri Thumanë-Kashar, Balluku: Automjetet mund të përdorin edhe rrugën dytësore falas

Segmenti i parë i Korridorit Blu, Thumanë-Kashar u inagurua ditën e diel dhe tashmë është në përdorim.  Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku sqaron në “Aldo Morning Show” në Tv Klan si do të funksionojë pagesa për këtë aks rrugor, njëkohësisht edhe për rrugë të tjera që do të zbatohet ky sistem.

Për Thumanë-Kashar pagesa do të jetë 210 lekë, por do të funksionojë edhe rruga dytësore ashtu si edhe për akset e tjera ku nuk do të aplikohet shuma e caktuar.


Belinda Balluku: Kemi marrë një vendim, kur nisëm pikërisht këtë rrugë të parë sepse kjo është rruga e parë që është përdorur instrumenti i pas rikoncensionit, kur nisëm këtë rrugë, ka qenë një negociatë e gjatë, e gjithë negociata është bazar mbi një fakt të vetëm fillestar dhe të patolerueshëm që çdo koncension i cili do të ngrihet në Reupublikën e Shqipërisë me pagesë, duhet të ketë si shoqëruese rrugën dytësore. Pra çdo koncension, të gjitha segmentet e tjera si dhe ky shoqërohet me rrugët dytësore. Jo thjesht ato rrugë që jemi mësuar t’i quajmë lidhëse për komunitetin majtas dhe djathtas, por rrugë dytësore, që t’i jepet e drejta çdo drejtuesi automjeti të zgjedhë, të paguajë para në një rrugë shpejtësie të kategorisë A me 130 km/h apo kushte sigurie shumë të larta, apo të ndjekë një rrugë kombëtare që zakonisht janë të kategorisë C që do të jetë në shërbim të qytetarëve.

Aldo: Rruga dytësore është pa pagesë?

Belinda Balluku: Rruga dytësore është pa pagesë dhe është zgjedhje e plotë e qytetarëve. Ka njerëz që duan të ecin  avash se nuk do të ketë më të njëjtin trafik edhe rruga dytësore sepse shumica e automjeteve edhe për shkak se çmimi është shumë i volitshëm, ky segment do të jetë 2.1 euro ose ndryshe 2100 lekë të vjetra.

Aldo: Për çdo lloj makine?

Belinda Balluku: Ka një kategorizim, ne po flasim për automjetet private ndërkohë sigurisht kamionët, automjetet e rënda që krijojnë një impakt tjetër në rrugë,  pra amortizimi që i krijojnë automjetet e  rënda është shumë i madh, do të kenë një çmim tjetër.

Autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet në 3 korsi, puna nis në shtator

Autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet me nga një korsi në të dy krahët e saj. Lajmi u bë me dije nga zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan. Bashkë  me korsinë e emergjencës, aksi rrugor do të ketë 4 korsi në të dy krahët e tij dhe puna për ndërtimin e tyre nis në shtator.

Gjithashtu do të rehabilitohet edhe rruga e vjetër e Ndroqit, e cila Balluku shpreson se do t’i japë një frymëmarrje të re agroturizmit të zonës.


Belinda Balluku: Ne duhet t’i përgjigjemi me urgjencë shumë të madhe Tiranë-Durrësit, janë lidhur dy kontratat e para por nisim nga “Shqiponja” në drejtim të Durrësit. Autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet nga të dyja anët me 1 korsi, pra do të shkojë me 3 korsi, plus korsinë e emergjencës.

Aldo: Tiranë-Durrës do të shkojë me 3?

Belinda Balluku: Po, Tiranë-Durrësi nga sheshi “Shqiponja” deri në Durrës shkon me 3 korsi. Kontratat e para nisin menjëherë, kantieri do të mobilizohet në shtator sepse nuk duam të krijojmë problematika tani dhe do të kemi një rrugë që do të ketë 3 korsi, plus korsinë e emergjjencës, pra në total 4 korsi nga të dyja krahët. Tiranë-Durrësi do të adresohet shumë shpejt, sigurisht me ritme të tjera , jo me ritmin e koncensionit pasi këtu zona ka qenë kryesisht me toka buke dhe e ke dëgjuar që ka pasur problematikë, imagjino çdo të ndodhë në të dy krahët e Tiranë-Durrësit, por në pjesën më të madhe të saj kemi hapësirë për t’u zgjeruar pasi ka një kanal kullues në të dyja krahët deri në Kashar, ai kanal kullues do të ruhet por do të mbyllet dhe sipër do të kalojë rruga ndërkohë që do të kryejë funksionet duke qenë i izoluar brenda tubavve gjigantë të betonit.

Aldo: Ndërkohë duhet bërë kjo e Ndroqit?

Belinda Balluku: Rruga e Ndroqit nis menjëherë, do të ketë një organizim të tillë…

Aldo: Është nostalgjike, është e bukur.

Belinda Balluku: Ajo është shumë e bukur dhe ne aty kërkojmë të nxisim agroturizmin sepse ka shumë ferma, ka produkte dhe besojmë që duke rehabilituar atë rrugë, gjurma do të qëndrojë e njëjtë përveç disa vendeve ku do të eliminojmë kthesat për arsye sigurie dhe ne mendojmë që do të nxisim të tjera ferma që do të ngrihen në atë zonë sepse është zonë jashtëzakonisht pjellore, me njerëz shumë punëtorë dhe ne mendojmë që mund të kthehet në një pol tjetër të Tiranës sa i përket pjesës së agroturizmit. Planet janë të mëdha.

Ministrja Balluku shtoi se për aksin Thumanë-Kashar do të ngrihet një njësi e dedikuar e Policisë Rrugore që do të monitorojë automjetet dhe shpërndarjen e trafikut.

Belinda Balluku: Kjo autotradë prej 21 km, flasim për Thumanë-Kasharin do të kontrollohet nga  jë njësi speciale e policisë rrugore. Ëështë një bashkëpunim midis koncensionarit dhe Policisë Rrugore për sa i përket pagesës të gjithë shpenzimeve që do të duhet për ngritjen e kësaj njësie të re, por Policia Rrugore këtu do të ketë skuadër të dedikuar, janë patrulla që do të patrullojnë, nuk janë që nesër s’i kemi, duhet ta dinë drejtuesit e automjeteve këtë. Policia Rrugore do të ketë njësi të dedikuara të cilat do të  kontrollojnë fillimisht dëshirën e madhe të drejtuesve të automjeteve për të përdorur 130 km por ndonjëherë edhe më shumë që nuk duhet, por nga ana tjetër edhe shpërndarjen e flukseve të trafikut në autostradën Tiranë-Durrës.

Belinda Balluku jep lajmin: Të premten hapet tuneli i Llogarasë

Pas hapjes së aksit Thumanë-Kashar ditën e diel, këtë të premte hapet një tjetër segment i rëndësishëm rrugor. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku njoftoi  në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se do të hapet tuneli i Llogarasë. Dita e inagurimit pritet të jetë një festë e madhe sipas traditës vlonjate.


Aldo: Shiritin e radhës kur e kemi?

Belinda Balluku: Ne kemi nisur një javë shumë të rëndësishme për infrastrukturën me hapjen e kësaj rruge, por ditën e premte në orën 10 ne do  të jemi për inagurimin e madh të hapjes së tunelit të Llogarasë, por vlonjatët festojnë ndryshe se këtu u festua dje me makina ‘retro’ etj, por vlonjatët këto veprat infrastrukturore i festojnë me këngë e valle polifonike kështu që pritet që të premten si në krahun e Palasës që zbresin të gjithë ata të lumit të Vlorës, edhe në krahun e Dukatit ku vjen Vlora, Orikumi etj, të ketë një festë të madhe për hapjen./tvklan.al