Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Protokolli i firmosur mes PD dhe PS shkakton krizë brenda gjirit të së majtës. Partitë e vogla kanë reaguar menjëherë kundër ngritjes së komisionit parlamentar të posaçëm. Ndërkohë që burime në Partinë Socialiste konfirmojnë se nuk do të ndryshojnë qëndrim edhe nëse kërcënohen me zgjedhje të parakohshme.

Këtë gjë e publikonte në faqen kryesore dhe gazeta “Zëri i Popullit. Nga ana tjetër aleatët e PS, shprehen të palëkundur në vendimin e tyre për të mos marrë pjesë në komisionin e posaçëm parlamentar për ndryshimet në reformën zgjedhore.

Neritan Ceka: “Ky është një paragjykim i zgjedhjeve, bile është më tepër, përgatitja e një katastrofe tjetër, të radhës, nën bekimin e zakonshëm të OSBE. Partia Aleanca Demokratike nuk mund të marri pjesë në një Pazar të tillë dhe ajo që kemi shpallur publikisht është që ne jemi për rekomandimet e presidentit të republikës, ai është kreu i shtetit dhe mbrojtësi i Kushtetutës dhe nuk mund të shkojmë gjithmonë sipas rekomandimeve të disa fshatarëve, nga provinca të humbura të Europës që vijnë këtu me siglën e OSBE-së”.

Gaqo Apostoli: “Në qoftë se nuk do të dilet nga kjo situatë, e bllokuar, unë e them të bllokuar jo vetëm për faktin e kartonëve, por sidomos brenda përbrenda koalicionit për integrim, atëherë situata do të përshkallëzohet dhe do të ketë qëndrime të tjera politike, sepse kemi të bëjmë me një çështje fondamentale të cilin ne e kemi dhe në thelbin e marrëveshjes së koalicionit për integrim”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj