Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Aleatët nuk janë të kënaqur vetëm me postet e zëvendësministrave, ata kërkojnë futjen në qeveri me anëtarë kabineti. E kushti kryesor për pjesëmarrjen e të vegjëlve në qeveri është të paktën një post ministror. Krerët e partive janë treguar të rezervuar të thonë, se çarë postesh kanë kërkuar në takimet që kanë pasur me kreun socialist Nano.

Ish-ministri i Bujqësisë dhe i Mjedisit Xhuveli, pa treguar postet ministrore që dëshiron nga kjo marrëveshje, kërkon ridimensionim të raporteve, investim reciprok, e barazi vlerash me partitë e tjera.

Lufter Xhuveli: “Partia Agrare Ambientalise nuk mund ta shikojë veten të pa përfaqësuar në qeveri, kur parti të tjera të koalicionit me peshë përafërsisht sa e saja, janë të përfaqësuara në qeveri. Kështu që kërkohet një ekuilibër në këtë rast”.

Gazetarja: Aktualisht cilat poste gëzon partia juaj?

Lufter Xhuveli: “Po ne kemi disa poste të nivelit të dytë dhe të nivelit të tretë, do të thoshnja që kemi një përfaqësim, i cili nuk është ekuivalent me peshën politike që ka marrë momentalisht PAA në situatën e re”.

Gazetarja: A i është premtuar diçka nga kreu socialist partisë tuaj?

Lufter Xhuveli: “Kjo kërkon një investim reciprok, dmth. nga njëra anë PAA me deputetët e saj do të mbështesë koalicionin dhe vendimmarrjen në parlament, por nga ana tjetër do të kërkonte, që të ishte e përfaqësuar ashtu si dhe partitë e tjera të koalicionit. Kjo do të dëmtonte raportet tona me Partinë Socialiste, po qe se PAA nuk do të ishte e përfaqësuar në mënyrë ekuivalente me partitë e tjera”.

Ndërsa kreu i PSD fsheh qëndrimin e tij ndaj posteve ministrore, duke pretenduar, se gjatë bisedimeve nuk janë diskutuar emra. Aktualisht kjo parti gëzon vetëm postin e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, por pretendon për më shumë.

Skënder Gjinushi: “Ne nuk flasim as për poste të përveçme, as për emra të përveçëm. Madje kanë qenë një ndër sëmundjet që e kanë çuar edhe në çarjen e të majtës, ose të vetë PS, fakti që janë përdor emra dhe që qeveritë bëhen e zhbëhen me emra. Qeveritë duhet të bëhen dhe zhbëhen me kriter, pas kësaj vijë emrat, duhet të vijnë emrat dhe postet, sepse po të përdoret në media vetëm loja e emrave kjo krijon vetëm pakënaqësira, krijon pasiguri, kështu që prandaj PSD ka këshilluar që së pari të vendoset do bëhen ndryshime, në çmasë, mendo dhe emrat, pastaj bëhen publik”.

Por ajo që dihet është që Partia Socialiste që pas vitit 2001, ka mbajtur postet kyçe në qeveri, megjithëse deri më tani aleatët janë parë si jo të rëndësishëm. PS nuk bën dot qeveri pa votat e tyre./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti